Greqia dhe Franca kanë nënshkruar një hartë strategjike partneriteti gjatë vizitës dyditore dhe takimeve që ka pasur me liderët politikë të vendit në Athinë kryeministri francez Manuel Valls.

“Një Eurozonë dhe një zonë Schengen pa Greqinë është një koncept që ne nuk e pranojmë”, ka thënë Valls. Ndërsa kryeministri grek Aleksis Tsipras ka falenderuar homologun e tij që megjithë situatën që po kalon Franca me përmbytjet në shumë zona të vendit nuk anuloi vizitën e tij në Greqi. Valls, që ka pohuar se është çështje ditësh që Athina të marrë këstin e parë të ndihmës, u ka bërë thirrje bizneseve franceze për të parë tashmë perspektivën e investimeve në Greqi, veçanërisht në fushat e energjisë, turizmit, transportit dhe bujqësise. “Mesazhi që unë dua të dërgoj është: ejani për të investuar në Greqi. Dhe një delegacion i investitorëve dhe biznesmenëve do të vijë në vjeshtë në Greqi”, ka deklaruar Valls. Ai ka theksuar gjithashtu se përveç ndihmës për rimëkëmbjen ekonomike, Parisi do ta ndihmojë Athinën edhe për të kapërcyer menaxhimin e krizës së emigrantëve dhe mbrojtjen e kufijve me sigurimin e personelit të nevojshëm të specializuar. Kryeministri francez ka thënë gjithashtu se, sipas marrëveshjes BE-Turqi, Franca do të marrë 400 emigrantë çdo muaj nga Greqia, vendi që mban deri tani 52.000 refugjatë në kampe të ndryshme të vendit.

Artikulli paraprakDIPLOMOHEN NXËNËSIT NË SHKOLLËN “PRENK JAKOVA”
Artikulli tjetërRIORGANIZIMI I GRUPIMIT “DHJETOR 90-te”