Një nga tetë ushtarakët turq që u arratisën në Greqi pas tentativës për grusht shteti, ka marrë azil politik. Bëhet fjalë për pilotin e dytë të helikopeterit me të cilin tetë ushtarakët u futën në hapësirën ajrore greke, duke u gdhirë 16 korriku 2016. Vendimi për dhënien e azilit u komunikua nga autoritetet greke të shtunën, në ditën e parafundit të vitit.
Komisioni i shkallës së dytë gjykoi se, sipas organizatës Amnesty Inernational, konventave ndërkombëtare, Këshillit të Europës dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë, situata në Turqi, pas tentativës për grusht shteti, është “e papranueshme”, sa u përket të drejtave të njeriut.
Nga ana tjetër, komisioni vë në dukje se nuk ka asnjë provë që të vërtetojë se piloti kishte pjesëmarrje në tentativën për grushtin e shtetit. Përkundrazi, thekson se Turqia kërkon ekstradimin e tij për “krime politike” dhe prandaj ai nuk mund të ekstradohet në vendin e tij, aq më tepër që “nuk do të ketë një proces të drejtë gjykimi”.
Shtatë ushtarakët e tjerë vazhdojnë të mbahen në një rajon policie në periferi të Athinës, në pritje të përgjigjes ndaj kërkesës së tyre për azil. Para një viti, më 26 janar 2017, gjykata e lartë e Greqisë kishte vendosur që tetë ushtarakët të mos ekstradohen në Greqi. Ky vendim ka shkaktuar tensionim të herëpashershëm në marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Athinës.
Madje edhe presidenti turk, Erdoigan, që vizitoi në fillim të muajit Athinës, e kishte përmendur disa herë këtë çështje, duke fajësuar drejtësinë greke.
Gjatë një interviste, Erdogan tha se në korrik të vitit të kaluar kishte folur në telefon me kryeministrin Tsipras, i cili i kishte premtuar që ata do të ekstradoheshin në Turqi brenda 15-20 ditësh.