Në ishullin e Rodosit, në Greqi, fillon sot ministeriali dyditor për Sigurinë dhe Stabilitetin, i organizuar me iniciativë të Ministrisë së Jashtme greke dhe me pjesëmarrjen e ministrave të Jashtëm dhe zyrtarëve të lartë të vendeve europiane, ballkanike dhe arabe.
Ndër temat kryesore të takimit, në të cilin merr pjesë edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, do të jenë sfidat e sigurisë rajonale e më gjerë në Mesdheun lindor dhe Lindjen e Mesme. Konkretisht palët do të fokusohen në sinergjitë dhe iniciativat që mund të merren në fushën politike, ekonomike dhe kulturore, për të stabilizuar rajonin, bashkëpunimi i përforcuar i vendeve të BE-së, Ballkanit dhe atyre të Afrikës veriore, të prekura nga fenomeni i emigracionit. Greqia, që ka qenë në vitin e kaluar dhe jo vetëm porta e hyrjes për qindra mijëra refugjatë dhe emigrantë të ikur nga vendet e konflikteve në Azi, në Mesdheun Lindor dhe Lindjes së Mesme kërkon që kjo konferencë të kthehet në një institucion të përhershëm dialogu për paqen dhe sigurinë, duke u përballur me problemet e mprehta që rriten vazhdimisht dhe që kanë nevojë për veprime kolektive dhe të koordinuara, dhe kryesisht për partnerë.