Si pasojë e ndërprerjes energjetike, rajonet e prekura nga përmbytjet në Greqi kanë mbetur edhe pa ujë të pijshëm. Në qytetin Volos me 150 mijë banorë, rrjeti i furnizimit me ujë është shumë i dëmtuar, prandaj banorët e zonës janë duke siguruar furnizime nëpër rrugë alternative, ka raportuar të hënën faqja e lajmeve ERT.
Sipas brigadës së zjarrit, pothuajse 4.500 persona janë shpëtuar deri më tani, mirëpo puna e ekipeve të shpëtimit është duke vazhduar. Ka ende njerëz të zhdukur dhe numri i të vdekurve nga vërshimet ka shkuar në 15 të hënën, ka thënë kjo brigadë.
Shkalla e saktë e dëmeve nuk dihet ende, pasi në shumë zona shihen vetëm çatitë e shtëpive. Javën e kaluar Greqia është përballur me stuhi të fuqishme. Shirat e rrëmbyeshëm kanë përmbytur fshatra dhe qytete.
Sasia e shiut ka arritur në nivele më shumë se 700 milimetra në më pak se 24 orë.