Pamjet e publikuara orët e fundit në rrjetet sociale, që pasqyrojnë çastin kur një refugjat sirian në ishullin grek të Hios përpiqet t’i vërë zjarrin vetes shkaktojnë shok.
Duke protestuar për izolimin e tij në këtë ishull dhe mosaprovimin e kërkesës për azil, ai ka hedhur mbi rrobat e tij lëndë djegëse dhe kërcënon se do të vetëdigjet. Një prej policëve, që largon refugjatët e tjerë që ndiqnin këtë skenë, përfiton nga një moment kur ai nuk e kishte mendjen dhe përpiqet t’i marrë çakmakun, por nuk ia arrin dhe të dy mbulohen nga flakët. Pamjet më pas tregojnë refugjatin që vrapon në drejtime të ndryshme duke u djegur, ndërsa shumë të pranishëm përpiqen ta ndalojnë dhe t’i shuajnë flakët.Sipas burimeve policore nga ishulli, pas incidentit është konstatuar se ai ka pësuar djegie të rënda në të gjitha pjesët e trupit dhe është gjykuar të çohet me urgjencë në një spital në Athinë, kurse polici që u përpoq ta shpëtonte ka djegur vetëm duart dhe ka marrë ndihmën mjekësore. Në 3 ishujt e mëdhenj të Greqisë; Hios, Lesbos dhe Samos; ndodhen përkatësisht 3.580, 3.290 dhe 1.730 refugjatë, ndërsa kushtet e vështira të jetesës dhe pritja e gjatë e shoqëruar me ankthin e mosaprovimit të kërkesës për azil shkaktojnë shpeshherë situata tejet dëshpëruese.