Flakët e ferrit që kanë dalë jashtë kontrollit në Athinë u kanë marrë jetën të paktën 77 personave.
Episodi më i tmerrshëm qëkur zjarret u përhapën me shpejtësi, është ai i regjistruar në Mati të Atikës, ku vullnetarët e Kryqit të Kuq gjetën 26 trupa njerëzish, shumë prej të cilëve nëna me fëmiijë, të përqafuar me njëri-tjetrin.
Jo të paktë janë edhe ata që janë mbytur, duke u hedhur në det për t’i shpëtuar flakëve, siç ndodhi në zonën e Artemidhës. Qindra vetë janë evakuuar me varka dhe helikopterë, ndërsa spitalet janë në gjendje emergjence.
Autoritetet presin rritje të numrit të viktimave, ndërsa 150 persona janë shtruar në spital. 15 vatra zjarri u aktivizuan njëkohësisht në tre zona të ndryshme, tha zëdhënësi i qeverisë dhe besohet se kanë qenë të qëllimshme në shtëpitë e braktisura e që janë vënë në shenjëster të grabitësve.
Greqia ka kërkuar dronë nga Shtetete Bashkuara të Amerikës për të diktuar dhe zbuluar çdo aktvitet të dyshimtë në ditët në vazhdim konfirmoi zëdhënësi.
Mes 77 personave të cilët kanë humbur jetën nga zjarret në Athinë, është edhe një grua me origjinë shqiptare.
Nica Leka, me origjinë nga Leshnica e Sarandës, mësohet se ka vdekur në banesën e saj, në vendin e quajtur Mati. Nica është gjetur e shkrumbuar në banesën e saj.
Bashkëshorti i saj grek ndodhet në gjendje kritike për jetën në spital.
Shumë vende të botës kanë shprehur solidaritertin dhe gatishmërinë e tyre për të ndihmuar Greqinë në përballimin e kësaj situate, ndërsa pak orë më parë ka reaguar edhe kryeministri Alexis Tsipras.
Ai ka njoftuar 3 ditë zie kombëtare për të humburit në tragjedi dhe ka bërë thirrje që njerëzit të mobilizohen e solidarizohen, për të përballuar këët moment “të patreguar më parë për Greqinë”.