Nga java në javë sondazhet në Greqi rezultojnë me një thellim konstant të diferencës ndërmjet partisë më të madhe opozitare, Demokracia e Re dhe partisë SYRIZA të kryeministrit Aleksis Tsipras.
Në sondazhin më të fundit, të publikuar të dielën, Demokracia e Re prin me 31,2% kundrejt 15% që merr SYRIZA në pushtet. Në vend të tretë rezulton partia Komuniste me 7,1% dhe fare pranë, neonazistët e Agimit të Artë, me 7%. Në vend të katër dhe të fundit ndodhen socialistët e PASOK-ut, me 6%. Tre nga partitë aktuale parlamentare vazhdojnë të mbeten larg cakut të 3 përqindshit që është kushti për hyrjen në Parlamentin 300 vendesh. Këto parti janë To Potami, Unioni i qendrës dhe Grekët e Pavarur, që janë aleatët e vetëm të kryeministrit Tsipras në koalicionin qeveritar. Sipas të përjavshmes Proto Thema, që ka publikuar sondazhin, kuotat e SYRIZA-s kanë një rënie të vazhdueshme, “për arsye të zhgënjimit të thellë që ka shkaktuar qeverisja e tanishme tek qytetarët”. SYRIZA erdhi në pushtet në janar 2015 duke premtuar shfuqizimin e masave të ashpra që i ishin imponuar Greqisë në kuadër të planit të shpëtimit të vendit nga falimentimi. Por shumë shpejt u detyrua edhe vetë të merrte masa të tjera, që shkaktuan pakënaqësi madje edhe tek votuesit e partisë së zotit Tsipras. Edhe pse përflitet vazhdimisht si një skenar i përshtatshëm për daljen nga situata e keqe ekonomike, mundësia e zgjedhjeve të parakohshme, duket se i ka ndarë më dysh qytetarët. Dhe kjo rezulton edhe tek sondazhi i fundit. Rreth 46% e tyre shprehen se qeveria duhet ta përfundojë mandatin e plotë, ndërsa 45% preferojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja.