DEKLARATAT PAS VENDIMIT TË BANKËS QËNDRORE PËR TË TKURRUR FINANCIMET. Pas vendimit të Bankës Qendrore Europiane për të tkurrur financimet për Bankat greke të nivelit të dytë, kryeministri Aleksis Tsipras tha se vendi i tij nuk merrte urdhra nga askush dhe se ai kishte bërë një zotim përpara popullit të tij. “Demokracia greke nuk merr urdhra dhe aq më tepër përmes email-it.
Greqia ka një pozicion të qartë dhe ka zërin e saj. Jemi krenar që dinjiteti dhe demokracia janë rikthyer në vendin ku kanë lindur. Pas vetëm një jave në qeveri kemi arritur të ndryshojmë axhendën e diskutimeve në Europë. Arritëm ta bëjmë Greqinë dhe propozimet e Qeverisë greke temë debatesh në të gjithë botën. E kemi për detyrë që të mos lejojmë që qytetarët grekë të mashtrohen sërish. Jemi vend sovran, jo një partner qesharak që dëgjon mësimin dhe bën detyrat e shtëpisë. Masat shtrënguese nuk janë rregull në Bashkimin Europian dhe nuk janë parim themeltar i Bashkimit Europian”. Në Athinë, pas vendimit të Bankës Qendrore Europiane për të mos pranuar më bono thesari si kolateral për hua ndaj Bankave të nvielit të dytë, aksionet e tyre ranë me mbi 16%, ndërsa bursa humbi më shumë se 6 pikë. Pasoja pati edhe në tregjet spanjolle dhe italiane, të cilat humbën nga një pikë të enjten. Sipas deklaratës të lëshuar nga Banka Qendrore Europiane vetëm një ditë pas takimit të Presidentit të saj, Mario Dragi me Varufakis, vendimi u mor pasi nuk kishte asnjë siguri që mes Greqisë dhe Trojkës do të arrihej një marrëveshje e re për rinegocimin e borxhit 240 miliard eurosh të vitit 2012.