Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka bërë të ditur formulën me të cilën Greqia do të abrogojë përfundimisht ligjin e gjendjes së luftës me Shqipërinë, që formalisht është në fuqi që prej nëntorit 1940.

“Do të kemi një dekret presidencial për abrogimin e gjendjes së luftës që është një skizofreni historike,”-ka deklaruar Kotzias gjatë konferencës për shtyp në përfundim të takimit me grupin e Vishegradit në Athinë.

Kotzias gjithashtu ka bërë të ditur se në paketën që pritet të finalizohet me Shqipërinë, do të ketë dhe një marrëveshje për kufirin tokësor dhe piramidat.

Ministri i jashtëm grek i ka vlerësuar si “të mira” takimet e para të grupeve negociatore për marrëveshjen mbi zonat detare.

“Besoj se takimet e ardhshme që janë planifikuar do të çojnë në një marrëveshje të drejtë, mbi bazën e legjislacionit ndërkombëtar. Jam optimist për këtë marrëveshje,”-ka deklaruar Kotzias.

Kotzias ka shpjeguar edhe arsyen e mosrealizimit të vizitës së kryeministrit grek Aleksis Tsipras në Shqipëri, që ishter pritur të ndodhte në fillim të prillit të sivjetëm.

“Udhëtimi i kryeministrit do të ishte bërë më herët nëse procedura e marrëveshjeve nuk ishte vonuar me problemin kushtetues që rezultoi në Shqipëri midis qeverisë dhe presidentit.”

Gjithsesi, Kotzias tha se kjo vizitë do të realizohet.

Në konferencën për shtyp ministri i jashtëm grek i ka “ngulur një kunjë” edhe Demokracisë së Re, partisë më të madhe opozitare për qëndrimet e kësaj të fundit në marrëdhëniet me Shqipërinë.

“Dje u diskutua në parlament marrëveshja për dhënien e asistencës Shqipërisë në çështjet europiane. Disa parti të opozitës e mbështetën këtë marrëveshje, por jo dhe Demokracia e Re.

Duhet t’ju them që nuk e kuptova pse kjo parti kërkonte që t’i vinim kushte Shqipërisë. Po kur bën një marrëveshje se do të mbështetësh tjetrin nuk i thua do të vej kushte se si do ta jap këtë mbështetje. Këto janë koncepte të kohëve të vjetra,”-përfundoi ministri i jashtëm grek.

Artikulli paraprakSHBA, KAPEN 6 TONË KOKAINË
Artikulli tjetërTURIZMI, SOT NË MBRËMJE CHARTERI I PARË NGA FINLANDA