Në Greqi është finalizuar dhënia me koncesion e 14 aeroporteve lokale, një transaksion që ka sjellë në arkën e shtetit grek më shumë se 1.2 miliardë euro.

Kryeministri grek Aleksis Tsipras është shprehur i sigurt se dhënia me koncesion e 14 aeroporteve lokale do të përmirësojë imazhin e tyre në kuadër të sezonit turstik. Tsipras e bëri këtë deklaratë të mërkurën në mesditë pas takimit me presidentin e konsurciumit gjerman Fraport, vetëm pak orë pasi ky i fundit kreu pagesën prej 1 miliard e 234 milionë euro për koncesionin që do të zgjasë 40 vjet. Tsipras, që ishte një kundërshtar i flaktë i koncensionimit të aeroporteve sa kohë ndodhej në opozitë, e ka quajtur si një moment tepër të rëndësishëm për Greqinë finalizimin e kësaj marrëveshjeje. Mediat pranë qeverisë vënë në dukje se ky është investimi më i madh që është bërë ndonjëherë në Greqi. Përveç pagesës prej 1,23 miliardë euro, Fraport do të paguajë një taksë vjetore prej 22,9 euro. Mes aeroporteve që janë dhënë me koncesion përfshihen ai i Selanikut, si dhe shumica e ishujve kryesorë të Greqisë, që kanë dhe flukset më të mëdha të turistëve.

Konsorciumi në të cilën merr pjesë me përqindje të vogël edhe një grup afarist grek, ka marrë përsipër gjithë funksionimin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e 14 aeroporteve, ndërsa investimet në infrastrukturë që do të bëjë gjatë katër dekadave, arrijnë në 1,4 miliardë euro. Përfaqësuesit e Fraport deklaruan në një konferencë për shtyp në Athinë, se u përballën me vështirësi të shumta, që më në fund u tejkaluan. Dhënia me koncension e 14 aeroporteve ishte vendosur që në vitin 2014, nga qeveria e atëhershme e koalicionit midis konservatorëve dhe socialistëve. Edhe pse Fraport kishte fituar tenderin përkatës, me ardhjen në pushtet të SYRIZA-s, marrëveshja ishte bllokuar dhe më pas kishin filluar negociata të reja, që sipas zotit Tsipras sollën më shumë përfitim për shtetin grek, i cili do të vazhdojë të ruajë pronësinë mbi 14 aeroportet.

Artikulli paraprakSHBA-RUSI, DAKORD PËR HETIM NDËRKOMBËTAR TË SULMIT KIMIK NË SIRI
Artikulli tjetërMERRET VENDIMI PËR RRUGËN E ARBRIT, KALON NË DUART E KOMPANISË SHQIPTARE