Qeveria greke ka marrë vendimin për të shpërndarë kuponë me vlerë 150 euro për të gjithë qytetarë, në mënyrë që të lehtësojë shpenzimet dhe tu mundësojë të gjithëve pushime. Masa e marrë synon të ndihmojë qytetarët por njëkohësisht të mbështesë edhe turizmin vendas, ndërkohë persona të kategorive të veçanta si personat me aftësi të kufizuar apo prindërit me fëmijë me aftësi të kufizuar, përfitojnë kuponë me vlerë 200 euro. Ministria greke e Turizmit ka bërë me dije se kuponët do të jenë të vlefshëm deri në vitin 2023, ndërsa kriteri i vetëm për të aplikuar është të jesh person adult dhe i regjistruar si rezident tatimor në këtë shtet. Ministria e Turizmit sqaron se kuponi do të përdoret vetëm për të paguar akomodimin gjatë pushimeve, dhe jo për shpenzime të tjera.
“Në mënyrën më të thjeshtë, duke përdorur vetëm celularin, 200 mijë bashkëqytetarë tanë do të mund të bëjnë pushimet në çdo hotel apo akomodim që ata zgjedhin, pa kufizime gjeografike, kurdo dhe ku të dëshirojnë. Dhe në këtë kohë të vështirë, ne mbështesim mundësinë e bashkëqytetarëve tanë për pushime deri në fund të vitit, që dividenti i suksesit nga turizmi të shkojë në xhepin e çdo greku që ka vështirësi në këtë kohë, në mënyrë që të gjithë bashkëqytetarët tanë të mund të pushojnë dhe të shijojnë bukuritë e atdheut, ashtu siç e meritojnë”, ka deklaruar ministri i Turizmit Vasilis Kikilias.
Ndërkohë zëvendës ministrja Sofia Zaharaki tha se programi vjen si një përmirësim i versioneve të aplikuara vitet e mëparshme.
“Programi i ri është një version i përmirësuar fuqishëm i programit me të njëjtin emër nga vitet e kaluara. 200,000 përfituesit e tij mund të përdorin subvencionin e rritur prej 150 euro në çdo ofrues akomodimi (hotele, akomodim) në të gjithë vendin. Ofruesit tani paguhen menjëherë. Për personat me Aftësi të Kufizuara është rritur ndihma prej 200 euro, ndërsa përdorimi i ndihmës mund të bëhet deri në qershor të vitit 2023.
Me këtë iniciativë i përgjigjemi angazhimit tonë për përmirësimin e programit të vjetër, duke mbështetur në praktikë bashkëqytetarët dhe shoqërinë, në për të forcuar dinamikën edhe të turizmit vendas, në një vit ku tashmë janë shënuar performanca të shkëlqyera nga flukset turistike në vendin tonë”, tha ajo. Në dallim nga viti i kaluar, shuma e përfituar nga qytetarët është rritur, pasi në 2021 qeveria vuri në dispozicion kuponë me vlerë 120 euro. Përfitues të programit janë qytetarët me të ardhura individuale deri në 16.000 euro dhe të ardhura familjare deri në 28.000 euro, shumë që shtohet për çdo fëmijë. Programi ka të bëjë me gjithsej 200 mijë përfitues dhe përzgjedhja përfundimtare, për sa kohë ka më shumë kandidatë që plotësojnë kriteret se numri maksimal i përcaktuar, do të bëhet me short elektronik.