Qeveria greke nëpërmjet Sekretarisë së Përgjithshme të Mbrojtjes Civile ka dërguar ndihma në Shqipëri pas përmbytjeve masive në tre ditët e para të këtij muaji, që shkaktuan dëme në shumë zona qendrore dhe jugore të vendit.

Athina i është përgjigjur menjëherë kërkesës së Tiranës për aktivizimin e Mekanizmit përkatës Europian të Mbrojtes civile, pasi vendi përballonte mungesa kryesisht në pajisjet emergjente të ndihmës së parë si dhe në materialet për rindërtimin e urave. Kështu, janë dërguar 5 gjeneratorë me fuqi 2000 vat, 1.500 veshje kundër shiut, 100 çizme të posaçme, elektrikë dore, motopompa, çanta, çadra, jelekë shpëtimi, ushqime të thata, apo të konservuara, si dhe ushqime për fëmijë dhe pelena për foshnje.

Sipas të dhënave që publikoi Sekretaria e Përgjithshme e Mbrojtjes Civile përmbytjet kanë prekur më shumë se 15000 hektarë ,ndërsa dëme të mëdha janë shkaktuar në infrastrukturë tek rrugët, rrjetet e energjisë elektrike dhe ujit, digat, urat, shtëpitë dhe bizneset. Më shumë se 700 familje janë transferuar në vendstrehime të përkohshme, ndërsa autoritetet dhe agjencitë lokale kanë bërë çdo përpjekje për të parandaluar humbjen njerëzore.

Në deklaratën për shtyp të autoritetit grek thuhet se përveç Greqisë, ndihma kanë dhënë edhe Austria, Franca, Italia, Sllovakia dhe Sllovenia. Shqipëria ka bërë kërkesë për ndihmë dhe në NATO, ndërsa në nivel dypalësh kanë ndihmuar Kosova, Bullgaria, Mali I Zi dhe Maqedonia.

Artikulli paraprakVRASJA E NDOKËS, REAGON DEPUTETI SOCIALIST
Artikulli tjetërVLLAZNIA PËSON HUMBJEN E RRADHËS NË VLORË