Mbështetja evropiane për Greqinë, në përballjen me impaktin e përmbytjeve që përfshinë vendin në ditët e fundit, do të diskutohet të martën në Bruksel mes presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen dhe kryeministrit grek Qirjakos Micotaqis. Kreu i qeverisë helene i dërgoi një letër zonjës Von der Leyen të premten e kaluar në lidhje me mbështetjen që BE mund t’i ofrojë Greqisë në të gjitha format. Por më herët, komisioneri i BE për Financat, Paolo Gentiloni, ndërsa informoi gazetarët mbi parashikimet për Eurozonën, theksoi se fondi në dispozicion për Greqinë përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile është i vogël.
“Fatkeqësisht, mekanizmi është aktivizuar disa herë në muajt e fundit dhe kanë mbetur pak të ardhura. Çdo vend i prekur nga katastrofat natyrore ka 3 muaj kohë për të na bërë të ditur përmasat e dëmeve. Megjithatë, Komisioni do të mbështesë përpjekjet e Greqisë për të menaxhuar këtë krizë”, deklaroi Gentiloni.
Ndërkohë, sa i takon situatës në terren zonat e prekura nga stuhia “Daniel” në rajonin e Tesalisë vazhdojnë të jenë nën ujë. Ujërat vazhdojnë të mbajnë të mbuluar edhe prefekturën e Larisës dhe qytetin në fjalë. Në zonat Janulis dhe Smirni kanë nisur evakuimet, një ditë pas paralajmërimit të banorëve.
Ndërkohë, në rajonin Pinios, edhe pse ujërat po tërhiqen, fshatrat janë të mbuluar nga balta dhe dëmet ndaj infrastrukturës, gjësë së gjallë dhe të mbjellave janë të pallogaritshme. Sa i takon bilancit të viktimave, autoritetet druhen se ai është ngjitur në 15 të vdekur.