Prej ditës së premte, temperaturat pritet të rriten deri në mbi 40 gradë Celsius, në pjesë të mëdha të Greqisë.
”Në Athinë, temperaturat maksimale mund të arrijnë në 45 gradë Celsius të shtunën”, theksoi shërbimi meteorologjik i vendit.
Autoritetet ftojnë banorët dhe turistët të jenë të kujdesshëm dhe rekomandojnë shmangien e sforcimeve të rënda fizike. Shumë qytete dhe bashki do të hapin salla me ajër të kondicionuar për publikun, ku njerëzit mund të strehohen. Disa sindikata kanë kërkuar që të premten të shpallet ditë pushimi për shkak të vapës, por qeveria ende nuk ka vendosur për këtë çështje. Njerëzit inkurajohen të punojnë nga shtëpia nëse është e mundur. Punëdhënësve u është kërkuar që të mos kërkojnë që punëtorët e tyre të kryejnë punë të rënda fizike jashtë. Sinoptikanët nuk mund të thonë ende se sa do të zgjasë vala e të nxehtit. Megjithatë, ata kanë frikë se temperaturat e larta mund të zgjasin deri në 10 ditë.