Mënyra e hyrjes së udhëtarëve drejt Greqisë ndryshon nga e hëna e ardhshme me datë 7 shkurt. Për qytetarët e vaksinuar plotësisht, nuk do të kërkohet me në aeroporte, porte apo pika kufitare tokësore testi molecular PCR ose testi i shpejtë, por mjafton një certifikatë vaksinimi.
Direktiva e re u njoftua nga Ministri i Shëndetësisë në një deklaratë të shkurtër për televizionin public ERT.
“Prej ditës së hënë, 7 shkurt hyrja në Greqi për të gjithë ata që kanë certifikatë aktive vaksinimi do të bëhet pa kryerjen e testeve ndaj koronavirusit”- tha Thanos Plevris, ministër i Shëndetësisë.
Udhëzimi i ri përfshin përveç qytetarëve të BE që kanë një certifikatë europiane aktive pra, udhëtarët që vijnë në Greqi dhe janë të vaksinuar, edhe shtetasit shqiptarë, të cilët aktualisht paguajnë për kryerjen e testit molekular apo të atij të shpejtë, ndërsa i nënshtrohen edhe një testi suplementar në pikat kufitare. Tashmë edhe ata do të duhet thjesht të tregojnë certifikatën e tyre te vaksinimit.
Megjithëse Greqia regjistron numër treshifror vdekjesh ditore dhe ka mbi 140.000 raste aktive infektimesh, ministri grek i Shëndetësisë vlerëson se ky vendim pritet të nxisë ardhjet e turistëve bashkë me një sërë masash që do të bëjnë më të lehtë për vizitorët potencialë planifikimin e udhëtimit të tyre në Greqi.
Edhe Ministri i Turizmit Vassilis Kikilias ka deklaruar se vendi po përgatitet këtë vit për të pritur vizitorët e sezonit veror më herët se çdo herë tjetër nga data 1 mars duke ndjekur shembullin e dy viteve të fundit në të cilat turizmi grek ka treguar një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme duke dërguar një mesazh të fortë sigurie për udhëtarët.