SAMARAS DHE TSIPRAS PËRBALLEN MES NJË KRIZE EKONOMIKE. Greqia përballet të dielën me një zgjedhje jetësore mbi të ardhmen e vendit, me mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

E ndodhur në heshtje zgjedhore pas mbylljes së fushatës intensive të partive politike gjatë javëve të fundit, duket se tensioni është gjithnjë e më i madh edhe mes votuesve. Kryeministri i vendit Antonis Samaras mbylli fushatën e partisë së tij Demokracia e Re me një miting në Athinë. Edhe në momentet e fundit të fushatës, Samaras nuk la pa kritikuar ashpër partinë rivale Syriza mbi programin e tyre financiar, si një goditje e fortë ndaj klasës së mesme të popullsisë greke. Samaras u bëri gjithashtu thirrje votuesve të së dielës, që të votonin për të qëndruar në Bashkimin Europian pasi askush prej tyre nuk “dëshironte aventura”. “Më e mira po vjen dhe më e keqja është ajo që ne nuk duam të vijë. Ne jemi më shumë, dhe do të shkojmë përpara. Qytetarët ftohen të zgjedhin liderin që do t’i nxjerrë nga kjo periudhë e keqe”, deklaroi Samaras. Dështimi për të zgjedhur presidentin e ri në dhjetor çoi Greqinë në zgjedhje të parakohshme. Sondazhet e fundit në vend nxjerrin partinë radikale të së majtës Syriza si kryesuese të zgjedhjeve, dhe partinë Demokracia e Re me një diferencë prej të paktën 5,2%.  Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare konsiderohen si tepër të rëndësishme jo vetëm për Greqinë, por edhe për Europën. Zgjedhjet e së dielës do të vëzhgohen nga afër nga tregjet financiare, pasi ekziston frika se me fitoren e Syrizas Greqia mund të heqë dorë nga zotimi për të paguar borxhet dhe të kërkojë daljen nga Eurozona. Lideri i Syrizas Alexis Tsipras tha në mbyllje të fushatës zgjedhore se partia e tij do t’i risillte dinjitetin kombëtar Greqisë. Tsipras kërkon të rinegociojë borxhin e vendit ndaj BE-së dhe t’u jap fund masave drastike të vendosura nga borxhi ndërkombëtar i shpëtimit.

 

 

 

Artikulli paraprakPD AKUZON QEVERINË PËR TAKSAT E RRITURA
Artikulli tjetërVLLAZNIA PREZANTON ZYRTARISHT GILMAN LIKEN