Ministria greke për Migracionin dhe Azilin tha përmes një raporti mbi të huajt e ligjshëm në Greqi se shtetasit shqiptarë përbëjnë numrin më të madh të të huajve në vend.

Sipas raportit që u referohet të dhënave të muajit gusht të këtij viti, 291.868 emigrantët shqiptarë rezultojnë me leje qëndrimi të vlefshme në Greqi dhe përbëjnë 61,4 % të të huajve të rregullt. Në këtë numër përfshihen edhe rreth 13.329 shtetas shqiptarë që janë pajisur me kartën speciale të identifikimit “si homogjenë”, pjesëtarë të pakicës greke nga Shqipëria, që jetojnë prej vitesh në Greqi. Ata përbëjnë 67 % të të huajve që janë pajisur me këtë status. Sipas Minsitrisë greke për Migracionin dhe Azilin, në të njëjtën periudhë të një viti më parë numri i shqiptarëve me lejeqëndrimi të vlefshme ishte dukshëm më i lartë. Në Gusht të vitit 2021, sipas Ministrisë greke të emigracionit dhe Azilit , 422.954 emigrantë nga Shqipëria rezultonin me leje të vlefshme qëndrimi dhe përbënin 63,07% të të huajve të rregullt në Greqi.

Rënia e numrit të emigrantëve të rregullt shqiptarë në Greqi pas një viti lidhet jo vetëm me procedurat e lëshimit të lejeve të qëndrimit, por edhe me një dinamikë lëvizjeje të shqiptarëve që punojnë e jetojnë në Greqi drejt vendeve të tjera evropiane. Shumë shqiptarë që jetonin prej vitesh në Greqi kanë emigruar kohët e fundit drejt vendeve të Evropës veriore dhe drejt Britanisë pas vështirësive në Greqi me punësimin dhe rritjen e çmimeve.

Artikulli paraprakPS “NDEZ” MOTORËT PËR ‘LOKALET’, RAMA MBLEDH SOT KRYESINË. JA KUR MUND TË JETË DATA E ZGJEDHJEVE TË ARDHSHME
Artikulli tjetërNIS MBLEDHJA E KESHILLIT BASHKIAK TE SHKODRES, JA NUMRI I TË PRANISHËM