Partnerët e Greqisë në Eurozonë ende nuk kanë vendosur nëse do të zhbllokojnë masat për lehtësimin e borxhit grek, siç ishte rënë dakord më herët këtë muaj.

Vendimi për pezullimin e këtyre masave u mor para një jave, si reagim i kreditorëve ndaj premtimit të Kryeministrit Aleksis Tsipras që të ndajë 617 milion euro të cilat do t’u jepen shtresave me pensione të ulëta për festat e fundvitit. Takimi i ekspertëve të eurozonës, Euro Working Group të martën pasdite përfundoi pa asnjë rezultat pozitiv për Greqinë. “U bë një diskutim për alternativat e mundshme që do të zhbllokonin zbatimin e masave, por ende nuk ka konsensus”, deklaroi një burim nga rukseli. Diskutimet do të vazhdojnë edhe të mërkurën, me shpresën se në fund të ditës do të ketë një vendim. Vendi më i fuqishëm i Eurozonës, Gjermania insiston në kundërshtimin e vendimit të Kryeministrit Tsipras për t’iu ndarë para si dhuratë pensionistëve, në kohën që buxheti grek është tërësisht i varur nga financimet e kreditorëve. Ministri gjerman i financave, Wolfgang Schauble, paralajmëroi të martën se Eurozona do të shkatërrohet po qe se anëtarët e zonës së euros nuk do të zbatojnë rregullat. Shcauble e bëri këtë deklaratë për të komentuar premtimin e kryeministrit grek për pensionistët. Ky vendim ka futur në një ngërç të ri edhe negociatat e zgjatura që Athina po zhvillon me kreditorët, në pritje të marrjes së një kësti tjetër të kredisë së shpëtimit që i është akorduar vendit. Duke folur për këto negociata, zëdhënësja e komisionerit për financat deklaroi në Bruksel se Komisioni Europian synon që marrëveshja midis Athinës dhe kreditorëve të arrihet para datës 26 Janar të vitit të ardhshëm, kur do të zhvillohet takimi i radhës i Ministrave të Financave të Eurozonës.

Artikulli paraprakMOTI PËR SOT, TEMPERATURAT VARIOJNË NGA – 4 NË 16 GRADË CELCIUS
Artikulli tjetërSHBA DHE KANADA NDALOJNË SHPIMET E NAFTËS NË ARKTIK