Greqia do të mbajë zgjedhje të përgjithshme në maj, tha kryeministri Kyriakos Mitsotakis në një intervistë televizive të martën.
Mandati katërvjeçar i qeverisë konservatore skadon në korrik dhe Mitsotakis pritej gjerësisht të thërriste zgjedhjet në fillim të prillit.
Sondazhet e opinionit tregojnë se epërsia e partisë së tij Demokracia e Re ndaj partisë opozitare të majtë SYRIZA po zvogëlohet pas katastrofës më të rëndë hekurudhore të Greqisë më 28 shkurt.
Aksidenti, gjatë të cilit një tren pasagjerësh dhe një tren mallrash u përplasën kokë më kokë, vrau 57 njerëz dhe nxiti zemërim dhe protesta masive për standardet e sigurisë hekurudhore.
“Unë mund t’ju them me siguri se zgjedhjet do të mbahen në maj,” tha Mitsotakis në intervistën për Alpha TV, të parat e tij që nga fatkeqësia.Dhjetëra mijëra njerëz janë mbledhur në të gjithë Greqinë për aksidentin, në protestat më të mëdha në rrugë me të cilat është përballur qeveria që nga zgjedhja në vitin 2019.
Protestuesit akuzojnë qeverinë aktuale si dhe qeveritë e mëparshme të dekadës së kaluar se kanë mbyllur një sy ndaj thirrjeve të përsëritura nga sindikatat mbi mangësitë e sigurisë në hekurudhë, një trashëgimi e krizës financiare dhjetëvjeçare të Greqisë e cila përfundoi në 2018.
Qeveria ka fajësuar kryesisht gabimin njerëzor. Katër punonjës të hekurudhës, duke përfshirë shefin e stacionit të shërbimit, u ndaluan.Mitsotakis ka kërkuar falje për një plan të vonuar për të instaluar sisteme sigurie në të gjithë rrjetin hekurudhor të Greqisë prej 2,500 km (1,550 milje).
Ai tha se vizita në skenën e përplasjes ishte “e vështirë”, por se ai nuk mendoi të jepte dorëheqjen.
“Unë synoj të fitoj sërish zgjedhjet dhe besoj se përfundimisht do t’ia dalim”, tha ai.