“Nder dhe respekt”-thotë Armir Grima është që të jesh trajner i kombëtares së femrave. Menjëherë pas prezantimit të tij bashkë me zëvendëstrajnerin, shkodranin Vioresin Sinani, Grima tregon se emri i tij ishte një zgjedhje e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Grima nuk preferon që të futet në problemet që ka patur trajneri i mëparshëm Altin Rraklli por përveçse do marrë anën pozitive deklaron qartë se rregulli dhe disiplina do jenë kryefjalë tek kombëtarja e femrave. Shkodra ka shumë ekipe dhe Vllaznia nuk mund të jetë e privilegjuar tregon Grima pavarësisht miqësisë që ka me presidentin e kësaj skuadra Lazër Matija. Për postin e tij tek Vllaznia e meshkujve si drejtor sportiv thotë se ende vazhdon që të jetë aty pavarësisht një lloj dyzimi. Grima shprehet se vetë ai nuk largohet dhe se do të bisedojë edhe pse është i gatshëm të sakrifikojë për Vllazninë duke lënë të kuptohet se e vetmja mënyrë mund të jetë shkarkimi nga drejtuesit e klubit shkodran. Armir Grima edhe vitin e kaluar ishte pranë një tjetër posti në FSHF. Pas zhvillimeve të fundit tek Vllaznia dhe deklaratave të drejtpërdrejta se klubi kërkon një menaxhim më të mirë ekonomik dhe sportiv, kjo mund të jetë një lëvizje taktike e Grimës jo vetëm për karrierën e tij por edhe që i paraprin çdo vendimarrje të mundshme tani apo në fund të sezonit.