Nga “parajsa” në “ferr”. Kështu mund të përcaktohet gjendja e dyanëshme e kuqebluve në 7 ditët e fundit.

Nga fitorja e thellë me Flamurtarin, në “Reshit Rusi”, te humbja dinjitoze, gjithsesi, në Laç. Konkluzioni: vendi i parafundit në renditje, me 8 pikë, vetëm një të tillë më shumë se Tërbuni. Armir Grima ka një rol të shumëfishtë te Vllaznia, “de facto”, sepse është trajner dhe drejtor sportiv, kështu që përgjegjësia në mënyrë të drejtpërdrejtë bie mbi të. Megjithatë, ai është gjendur si “i vetmi trim në luftë” në kampin shkodran, duke u munduar t’i vërë “shpatullat” skuadrës së zemrës, që po kalon momente të vështira nën drejtimin e bashkisë. Pas humbjes me kurbinasit, Grima nënvizoi mes të tjerash: “E rëndësishme është që skuadra prodhoi lojë, u shpreh si duhet në fushë. Ndaj më vjen keq, sepse luajtëm mirë dhe humbëm. Patëm rastet tona dhe rezultati duhej të ishte ndryshe, por të vjen keq që u ndëshkuam me gola qesharakë. Jemi në një situatë të vështirë, por jo të pashpresë. Natyrisht, do të luftojmë fort për mbijetesën, sepse për më shumë, me kushtet aktuale, vështirë të pretendojmë. Duhet të punojmë më shumë. Mungesa e Cicmil ndikoi sot në mbrojtjen tonë. Kishim probleme në fillim në këtë repart. Kemi ndeshje decizive në vazhdim, kështu që nuk kemi kohë të vajtojmë këtë që na ndodhi në Laç, port ë përveshim edhe më mirë mëngët. Kur prodhon lojë, të vjen keq që humbet. Goli i dytë ishte qesharak, erdhi për faj të portierit, por edhe të mbrojtjes. Kemi djem të rinj në përbërje dhe mbase kanë emocione, ndaj gabuam edhe në pasimet më të thjeshta. Djemtë e rinj duhet të kërkojnë më shumë për veten dhe të rriten, sepse futbolli është jeta e tyre. Ndoshta shokët e tyre moshatarë në skuadra të tjera mbajnë peshë. S’ka më djem të rinj te Vllaznia, ata duhet të rriten.”

Artikulli paraprakCUNGU: MË VJEN KEQ PËR VLLAZNINË, POR JAM PROFESIONIST
Artikulli tjetërANGLIA MBËSHTET ALEANCËN KUNDËR ISIS, NISIN BOMBARDIMET