Autoritetet shëndetësore në Greqi janë vënë në alarm pasi në dy prefektura fqinje të Bullgarisë
, në Plovdiv dhe Stara Zagora, organet vendase kanë dhënë urdhër për therje masive të mijëra shpendëve të cilët janë konstatuar se kanë virusin e gripit H5N8. Mësohet se në zonat kufitare me Greqinë në Bullgari, Ministria e Bujqësisë raportoi tetë raste të prekura nga virusi H5, 5 pula në oborrin e një shtëpi, një pulë në një fermë, një rosë në një park natyror dhe një çafkë gri e gjetur e ngordhur po në një park natyror. Sipas raportit, virusi ka përfshirë pesë provinca: Vidin dhe Vratsa në veriperëndim të vendit, Plovdiv në rajonin jug-qendror, Sofje në perëndim dhe Yambol në lindje. Nga 4.417 shpendë, virusi preku 83, duke vrarë 73 prej tyre. Zyrtarët kanë therur 4.344 zogjtë e mbetur për të frenuar përhapjen e virusit. Ndërkohë në Greqi megjithëse është shfaqur vetëm një rast me 14 dhjetor i një mjelme të egër që është gjetur e ngordhur në Park Natyror në afërsi të deltës së Evros në kufijtë me Bullgarinë dhe Turqinë, organet shëndetësore kanë marrë masa urgjente në prefekturën e Maqedonisë Lindore dhe në Trake, sidomos në fermat e shpendëve të cilat ndodhen jo shumë larg lumenjve dhe habitateve ujore,për të parandaluar përhapjen e virusit që bëhet shkak për mortalitet të larte në shpendët shtëpiake dhe ato të egra. Në 20 ditët e fundit përvec Bullgarisë janë shfaqur raste masive edhe në Rumani, Serbi dhe Kroaci. Virusi i gripit të shpendëve H5N8, ka mbërritur në Europë në vjeshtën e vitit 2016 kryesisht nga shpendët migrues dhe janë regjistruar shumë raste në Gjermani, Francë, Danimarkë, Austri, Poloni,Zvicër dhe Hungari.