Ndonëse tregtimi i shpendëve në rrugë u ndalua rreptësisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit disa ditë më parë, sot në Shkodër shpendët vazhdojnë të shiten nga fermerë në vende që nuk lejohen.
Që prej fillimit të këtij muaji Shkodra është prekur nga gripi i shpendëve me dy raste të konfirmuara. Pavarësisht kësaj situata sa i takon shitjes së tyre vijon sikur ky infeksion të mos ishte përhapur kurrë në këtë qark. Gripi i shpendëve nuk i ka ndaluar shitësit e pulave që të vijojnë të tregtojnë në rrugë.
Pas kamerave tregtarët shprehen se pulat e tyre janë të shëndetshme dhe nuk mbartin asnjë lloj sëmundjeje ndaj ata vazhdojnë t’i shesin. Rasti i parë u bë publik me 7 prill nga prefektja e qarkut Shkodër, Majlinda Angoni e cila tha se ishin asgjesuar 70 pula. Një ditë më pas u konfirmua edhe rasti i dytë po në Dajç me 60 pula të tjera të groposura.