Një ndeshje e bukur dhe e luftuar është zhvilluar në “Loro Boriçi” mes Vllaznisë dhe Teutës. Shkodranët vuajtën, por në fund arritën të mposhtin durrsakët me rezultatin 2-1, falë një goli të shënuar nga Gruda në minutën e fundit të kohës së rregullt. Ndeshja nisi shumë mirë për vendasit që u hodhën në sulm dhe fituan një penallti. Megjithatë, pas verifikimit në VAR, gjyqtari Xhaja ndryshoi mendim dhe 11-metërshi u anullua. Pak minuta më vonë, shtylla i mohoi golin Balajt, ndërsa Teuta rrezikoi me Nasr. Kur dukej sikur pjesa e parë do të mbyllej në barazim pa gola, është Bajrami ai që zhbllokoi sfidën dhe kaloi Vllazninë në avantazh. Teuta u mundua të reagojë në pjesën e dytë dhe arriti të barazojë shifrat me një gol shumë të bukur të Nasr. Në vazhdim, të dyja skuadrat kërkuan të fitonin ndeshjen dhe kishte raste në të dyja kampet. Megjithatë, në fund është Vllaznia ajo që festoi, pasi gjeti golin e avantazhit me Grudën, që ndëshkoi ish-skuadrën e tij. Kështu, mbyllet me rezultatin 2-1 në Shkodër me Vllazninë që del fituese nga kjo ndeshje. Pas këtij dueli, trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç, e cilësoi një fitore të merituar, edhe pse pranoi se skuadra e tij rrezikoi shumë në pjesën e dytë.
“Ishte një fitore e madhe, pasi Teuta është një ekip mjaft i mirë fizikisht. U munduam t’i përballonim në mënyrën maksimale, pasi ata janë të rrezikshëm. Ishte një ndeshje e hapur, por nëse flasim për nga loja e pjesës së parë ne merituam fitoren. Objektivi jonë është që të luajmë njësoj gjatë 90-minutave. Nuk jam i lumtur për çfarë ndodhi në pjesën e dytë. Duhet të flasim për këtë dhe ta analizojmë për të bërë më mirë. Duhet të përmirësohemi dhe duhet të tregojmë që jemi konstant edhe në pjesën e dytë. Nëse numërojmë rastet, ne kishim shanse më të mira për të fituar dhe e merituam fitoren pak më tepër se Teuta.”
Nga ana tjetër, trajneri i Teutës, Edi Martini tha se të dy ekipet luajtën si të barabarta, ndërsa shtoi se Vllaznia duhet ta falënderojë për rritjen e Ildi Grudës si futbollist.
Pas kësaj fitoreje, Vllaznia ngjitet e vetme në krye të renditjes me 25-pikë.