Banorët në Grudë të Re të njësisë Rrethina janë shqetësuar sërish nga të shtëna armësh që janë dëgjuar rreth orës 12:40 të 8 janarit. Policia vendore e Shkodrës bën me dije se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës të shtetasit Gjergj Mhilli, 63 vjeç. Sipas policisë nga të shtënat me armë nuk ka dëme në njerëz ndërsa raportohet se nga ngordhur vetëm qeni i shtëpisë pas plumbave që kanë shkuar drejt kësaj banese. Policia në njoftimin e saj thotë se autor të dyshuar të kësaj ngjarje janë dy vëllezër, shtetasi A.K 37 vjeç dhe N.K 28 vjeç që të dy banues në lagjen “Skenderbeg”.
Menjëherë pas të shtënave në vendngjarje kanë mbërritur një numër i shumtë i forcave të policisë duke nisur menjëherë hetimet rreth kësaj ngjarje të ndodhur që mund të kishte përfunduar edhe me të plagosur apo viktima në njerëz nga të shtënat. Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe po punohet për zbardhjen e plotë por edhe kapjen e autorëve të dyshuar që janë dy vëllezërit A.K dhe N.K.
Sipas burimeve nga vendngjarje të shtënat me armë kanë ardhur pas një konflikti që kanë patur dy familjet, familja e shtetasi Gjergj Mhilli si dhe mes dy vëllezërve të dyshuar si autor të kësaj ngjarje. Janë të paqarta motivet e këtij konflikti që ka sjellë të shtënat me armë në drejtim të banesës së Gjergj Mhillit. Pak ditë më parë po në Grudë të Re iu vendos tritol banesës së shtetasit Kolë Bungaja në orët e para të mëngjesit ndërsa po atë natë më herët tritol u vendos edhe në shtëpinë e policit Prelë Milani në Zooteknikë.
Pas tritolit, u dogj banesa e një tjetër polici, Nikolin Lerës ngjarje e ndodhur në Dukagjin, të gjitha këto ngjarje që dyshohen se vijnë nga puna e punonjësve të policisë në asgjesimin e bimëve të kanabisit atje. Pa kaluar shumë kohë po në Grudë të Re vjen kjo ngjarje në banesën e shtetasit Gjergj Mhilli.