Maqedoni – Gruevski për gjuhën shqipe: Nuk do ta njohim asnjëherë si gjuhë zyrtare
Ish-Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka hedhur poshtë propozimin e liderit të opozitës, Zoran Zaev, për njohjen e shqipes si gjuhë zyrtare në të gjithë territorin maqedonas. Nëpërmjet një deklarate, Gruevski u shpreh se ideja e rivalit të tij rrezikon që të krijojë një përçarje më të thellë etnike në Maqedoni. Ish-kreu i ekzekutivit tha gjithashtu se forca politike e drejtuar prej tij do të mbështesë vetëm propozime që mund ndihmojnë në daljen e vendit nga kriza politike. Ish-Kryeministri i Maqedonisë dhe njëkohësisht kreu i partisë VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, ka vijuar edhe njëherë me retorikë nacionaliste, duke u shprehur se nuk do të mbështesë asnjëherë idenë e zyrtarizimit të gjuhës shqipe si një gjuhë zyrtare në të gjithë territorin maqedonas. Deklarata e ish-kreut të ekzekutivit, erdhi në shenjë kundërpërgjigje ndaj liderit të opozitës Zoran Zeav, i cili më herët deklaroi se forca politike e drejtuar prej tij po shqyrton idenë e propozimit të zyrtarizimit të gjuhës shqipe në të gjithë vendin. Megjithatë, Gruevski ka shprehur bindjen se ky propozim nuk do të gjejë as mbështetjen e qytetarëve të Maqedonisë. Gruevski: “Propozimi i Zoran Zaev për të zyrtarizuar gjuhën shqipe në të gjithë territorin e Maqedonisë nuk bën gjë tjetër veçse vërteton atë që e kam thënë më herët. VMRO-DPMNE dhe qytetarët e Maqedonisë asnjëherë nuk do të votojnë propozimet e Zaev për ta ndarë Maqedoninë dhe për ta futur vendin në një krizë më të thellë etnike. Qytetarët e Maqedonisë mbështesin vetëm përparimin dhe prosperitetin e vendit, platformë që e ofron vetëm VMRO-DPMNE dhe askush tjetër.” Aktualisht gjuha shqipe në Maqedoni njihet si gjuhë zyrtare në rajone të caktuara, por jo si një gjuhë zyrtare në të gjithë territorin. Thënë më thjeshtë, gjuha shqipe përdoret në shkresa zyrtare vetëm në rajonet që kanë një përqindje të konsiderueshme popullsie shqiptare. Megjithatë, në vend ka patur shpesh herë propozime për zyrtarizimin e shqipes në të gjithë Maqedoninë, sikurse ishte edhe propozimi i fundit i bërë nga lideri opozitar, Zoran Zaev, ide që me sa duket nuk është mbështetur nga VMRO-DPMNE.