Gjatë ditës së sotme, politika maqedonase pritet të hedhë hapin e parë drejt formimit të qeverisë së re.
Presidenti i vendit George Ivanov në bazë të Kushtetutës, do ti japë mandatin partisë që fitoi zgjedhjet VMRO-DPMNE për formimin e Qeverisë. Sot është afati i fundit që Ivanov duhet ta kryejë këtë detyrim kushtetues. Nikolla Gruevski do të jetë ai që sipas VMRO-DPMNE do të marrë mandatin për formimin e Qeverisë dhe do të zhvillojë bisedimet, me ç’rast afati i fundit që kjo parti të gjejë partnerë për bashkëqeverisje është 29 janari. VMRO-DPMNE sipas numrave që ka fituar në zgjedhje pritet të fillojë bisedimet me BDI, e cila ka 10 deputetë dhe me të cilën mund të formojë Qeverinë e pakicës. Për të formuar qeverinë duhet 61 nga 120 deputetët e Kuvendit të Maqedonisë. Në zgjedhjet e 11 dhjetorit, VMRO-DPMNE fitoi 51 deputetë, LSDM 49, BDI 10, BESA 5, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe PDSH 2 deputetë.