Shkodër
Finalizohet operacioni policor i koduar “Lotaj”.
Operacioni nga DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, pas një hetimi disamujor.
Goditet një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë shoqërore, që merrej me prodhimin dhe shitjen e lëndës narkotike.
Vihet në pranga njëri prej pjesëtarëve të grupit, shpallen në kërkim dy të tjerë.
Sekuestrohet lëndë narkotike dhe tre telefona celularë.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqet, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër dhe Forcën e Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, u finalizua me sukses operacioni i koduar “Lotaj”.
Pas një pune të mirorganizuar, në përfundim të hetimit disamujor u bë e mundur goditja e një grupi kriminal me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Si rezultat i operacionit u arrestua shtetasi:
F. G., 24 vjeç, banues në Grudë e Re, Shkodër, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit A. G. dhe K. B., të dyshuar për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim.
Nga tërësia e veprimeve policore dhe hetimore të kryera për një periudhë kohore disamujore, në funksion të procedimit penal, u arrit që të bëhej goditja finale e këtij grupi kriminal dhe dokumentimi i aktivitetit kriminal që ky grup e kishte shtrirë në disa vende të qarkut Shkodër.
Gjatë operacionit rezultoi se në një sipërfaqe të pyllëzuar në fshatin Lotaj, këta shtetas po ushtronin veprimtari kriminale në fushën e kultivimit të kanabisit. Në brendësi të zonës së pyllëzuar u konstatua edhe një stan të cilin këta shtetas e kishin përshtatur për të fjetur, ku u gjet dhe një sasi lënde narkotike e dyshuar marijuanë.
Gjatë operacionit u kap në flagrancë F. G., ndërsa shtetasit A. G. dhe K. B., të cilët kanë mundur të largohen, janë shpallur në kërkim.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale” të kryera në bashkëpunim.