Itali, GDF “peshkon” 17 thasë marijuhanë nga ajri
Këtë herë motovedetave të Guardia di Finanza-s u është dashur të “peshkojnë” në det 17 thasë marijuhanë të zbuluara gjatë një patrullimi nga ajri. Pesë milje larg portiti të qytetit të Otrantos, forcat e rendit punuan për të mbledhur lëndën narkotike të ambalazhuar më së miri për t’i rezistuar lagështirës. Është llogaritur se vlera e saj në treg arrin në rreth 2 milionë euro. Hetuesit po punojnë për të zbuluar nëse episodi ka lidhje me atë të ditës së mërkurë, kur dy shtetas shqiptarë u shpëtuan pak a shumë në të njëjtën zonë nga rojet bregdetare, pasi kishin mjetin në avari. Njëri prej të shpëtuarve u arrestua menjëherë sepse ishte i kërkuar për shkelje të kryera në zonën veriore të Italisë. Ende nuk dihet nëse marijuhana udhëtonte me mjetin në avari, apo me ndonjë tjetër që nuk është kapur dot.