Fshatrat Rragam dhe Gajtan në Njësinë Administrative Gur i Zi në Shkodër janë përfshirë nga vatra të shumta dhe të rrezikshme zjarri, të cilat u përshkallëzuan pasditën e së hënës.

Të favorizuara edhe nga era, flakët rrezikuan rreth 40 banesa në afërsi të digës në fshatin Rragam, ndërsa është kërkuar ndihmë nga Ministria e Brendshme. Kjo e fundit ka dërguar mesditën e së hënës 2 helikopterë për shuarjen e flakëve në ndihmë të banorëve, të cilët kanë luftuar për 24 orë me mjete rrethanore.

Administratori i Njësisë Gur i Zi që mbërriti në vendin e ngjarjes tha se bëhët fjalë për qindra HA pyje dhe kullota të djegura. Marku u bëri thirrje banorëve që të kenë kujdes me zjarret ndërsa shtoi se është e vështirë të mbahen nën kontroll vatrat e shumta. Ndërkohë pas ndërhyrjes së helikopterëve për shuarjen e flakëve është shmangur rreziku për 40 banesat që ndodheshin aty pranë.

Ndërhyrje nga ajri për shuarjen e zjarreve ka patur edhe në Njësitë Administrative Postribë e Gur i Zi, ku flakët e zjarrit janë të aktivizuara prej ditësh. Banorët tregojnë se për shkak të tokave private, gjatë natës së kaluar mbërritja e zjarrfikësve ka qenë mjaft e vështirë deri në vendin e ngjarjes.

Ata gjithashtu kanë raportuar gjatë natës në redaksinë e Star Plus se në afërsi të fshatit Rragam ka patur disa shpërthime. Në lidhje me këtë situatë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka sqaruar se ka patur disa shkendija elektrike në linjën e interkonjeksionit, por pa pasoja serioze.

Artikulli paraprakZJARRVËNIA, ARRESTOHET NJË 64-VJEÇAR
Artikulli tjetërDHJETË VATRA ZJARRI NË 7 QARQE