Dhjetra kosha mbeturinash në fshatra të ndryshëm në njësinë Guri Zi ndodhen totalisht të amortizuar.
Prej kohësh edhe pse pjesa më e madhe e tyre ndodhen të vendosur në anë të rrugës që nga fshati Rrenc dhe në të gjitha fshatrat e tjerë, kazanët e mbetjeve kanë dalë jashtë funksionit. Pavarësisht se ka mbi një vit që ndodhen në këtë gjendje vazhdojnë që të jenë të vendosur aty. Në shumë pjesë të ndryshme të njësisë Guri Zi, si shkak i amortizimit të koshave, mbeturinat hidhen në afërsi të tyre. Përveçse nuk kryejnë siç duhet funksionin për banorët e Guri të Zi, kanë edhe një rrezik evident për shëndetin e popullatës duke qenë kështu një potencial për përhapjen e infeksioneve të ndryshme. Disa herë banorët e fshatrave kanë ngritur këtë shqetësim për koshat e dëmtuar dhe që nuk kryejnë funksionin apo ashtu edhe për rrezikun shëndetësor por deri më tani situata nuk ka ndryshuar. Ka afro 3 muaj kur bashkia Shkodër shpërndau në 8 njësi të ndryshme rreth 430 kosha mbeturinash mes të cilave bënte pjesë edhe Guri Zi. Kjo njësi sipas njoftimit të bashkisë në atë kohë përfitoi 30 kazanë të rinj. Shpërndarja e tyre u bë në pika të ndryshime ku kishte më shumë nevojë dhe ku ka një dendësi popullsie e lëvizje më të madhe. Pavarësisht se u bë shpërndarja e 30 koshave për mbetjet, kjo nuk arriti që të përballojë nevojën që ka një njësi e madhe si Guri Zi. Përveç kësaj nuk u bë e mundur zëvendësimi i kazanëve të vjetruar dhe të amortizuar me 30 koshat e rinj që dha bashkia Shkodër për Gurin e Zi. Në këtë mënyrë edhe në këtë njësi një problem kryesor mbetet menaxhimi i mbetjeve dhe gjetja e një zgjidhje për ta përballuar më mirë situatën. Emergjente mbetet që kazanët aktual totalisht të amortizuar të ndërrohen duke qenë se mbi të gjitha janë një burim i rrezikshëm për përhapjen e infeskioneve.