Vllaznia ka nisur të mendojë pak nga pak për afrimet e sezonit të ardhshëm. Kështu, pasi kanë mbyllur marrëveshjen me mesfushorin Amir Kahrimanoviç, me të cilin firma duket shumë pranë, drejtuesit kuqeblu po bisedojnë edhe me futbollistë të tjerë për t’i bindur që të jenë pjesë e Vllaznisë për sezonin e ardhshëm. Në fakt, nga sa mësohet, bëhet fjalë për dy lojtarë që kanë qenë pjesë e kuqebluve dhe që mund të rikthehen sërish në Shkodër. Burime të “Star Plus” mësojnë se drejtuesit shkodranë kanë nisur bisedimet me ish-kapitenin e Vllaznisë, Erdenis Gurishta, por edhe me ish-mesfushorin Fjoart Jonuzi.
Nëse me këtë të fundit, situata duket më e lehtë, pasi mund të largohet nga Tirana si lojtar i lirë, krejt ndryshe qëndron situata me Gurishtën. Ish-kapiteni i Vllaznisë ka akoma edhe dy vite të tjera kontratë në Bullgari dhe nuk dihet akoma se cila do të jetë e ardhmja e tij. Ndërkohë, sa i takon bisedimeve me Jonuzin, ai ka ndërmend të largohet nga Tirana dhe pikërisht, për këtë arsye, drejtuesit e Vllaznisë kanë kthyer vëmendjen drejt tij. Në fakt, si Gurishta, ashtu edhe Jonuzi, janë njohje të vjetra të trajnerit Thomas Brdariç, i cili i njeh mirë dhe ua di vlerat e këtyre futbollistëve.
Nga ana tjetër, ende nuk dihet e ardhmja e mbrojtësit të djathtë, Geralb Smajli. Ky i fundit mund të largohet nga Vllaznia, pasi ka oferta nga klube të tjera të Superiore, por edhe nga jashtë Shqipërisë. Prandaj, edhe qëndrimi i tij te Vllaznia është në pikëpyetje, duke marrë në konsideratë edhe faktin që kontrata e tij ka përfunduar. Nëse Smajli largohet nga skuadra shkodrane, atëherë Vllaznia humb një titullar të rëndësishëm. Poashtu, në fund kontrate, përveç mbrojtësit të djathtë janë edhe Hakaj, Boshnjaku dhe Mala. Me asnjërin prej tyre, klubi nuk ka rinovuar deri më tani, siç ka bërë me Juriç dhe Stojanoviç.