Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ishte i pranishëm në punimet e Forumit për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Guvernatori Gent Sejko diskutoi mbi zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare dhe ndikimet e krizave të viteve të fundit. Ai u shpreh se Banka e Shqipërisë ka ndjekur një cikël normalizimi të qëndrimit të politikës monetare gjatë vitit 2022, duke e rritur normën bazë të interesit nga minimumi historik prej 0.5% në fillim të vitit, në nivelin 2.75% në fund të tij.

Në vijim, Guvernatori shtoi se ruajtja e stabilitetit financiar kërkon përfshirjen e vazhdueshme dhe aktive të aktorëve të tjerë institucionalë. Ai theksoi nevojën e koordinimit ndërmjet politikave monetare dhe fiskale. Në tërësi, këto politika duhet të jenë në koordinim me njëra–tjetrën, duke synuar kontrollin dhe kthimin në objektiv të inflacionit, me një kosto sa më të ulët mbi aktivitetin ekonomik. Në këtë kontekst, konsolidimi fiskal në Shqipëri ka shkuar në linjë me normalizimin e politikës monetare. Megjithatë, brenda hapësirave të saj, politika fiskale ka pasur një rol parësor për zbutjen e ndikimit të goditjes në ekonominë shqiptare.

Gjatë këtij forumi dyditor, Guvernatori Sejko zhvilloi takime me personalitete të njohura ndërkombëtare, me zyrtarë të lartë të bankave qendrore, si dhe me përfaqësues të bankave të ndryshme tregtare.

Artikulli paraprakTË MOSHUARIT NË KOPLIK: PENSIONI NUK NA DEL AS PËR ILAÇE
Artikulli tjetërPARTIA E LIRISË LETËR DREJTUAR NIKOLLËS: NA VINI NË DISPOZICION KALENDARIN E TAKIMEVE ME BE-NË