Kryetarja e grupit të djathtë parlamentar, Rudina Hajdari, foli me tone të ashpra ndaj klasës politike në Shqipëri, duke i quajtur bllokuesit kryesorë të integrimit të Shqipërisë në BE, për shkak se kanë frikë nga reforma në drejtësi që mund t’i godasë interesat financiarë dhe personalisht ata.

Gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Shqipërisë, për raportin vjetor të Këshillit Kombëtar të Integrimit, Rudina Hajdari tha se veprimet e fundit politike tregojnë se e gjitha është orkestrim i krizës së radhës për të dalë keq përpara partnerëve ndërkombëtarë.

Ajo tha se vendit i duhet një klasë tjetër politike që të luftojë për integrimin e vendit në familjen e madhe evropiane, dhe për këtë ajo mori angazhim si politikane e re për të luftuar në këtë drejtim pavarësisht sulmeve që do të marrë gjatë rrugës nga ata që nuk e duan integrimin.

“Kur vjen puna tek integrimi të gjithë duhet të jemi bllok të bashkuar.

Me dashakeqësi orkestrojnë krizën e radhës duke na turpëruar para partnerëve ndërkombëtarë. Luajnë ping-pong me të ardhmen e shqiptarëve, vetëm e vetëm që të vonojnë fillimin e bisedimeve, për të prishur të ardhmen.

Kjo i tejkalon përmasat e një krimi kombëtar. Në vend të bëhej bashkë, të ishim avangardë të reformave që na kërkon BE, ata janë bllokuesit kryesorë të afrimit me Evropën, ata e dinë shumë mirë që reformat prekin interesat e tyre personale, financiare. Reformat madhore si ajo e drejtësisë, zgjedhore, që prekin sistemin, trondit këta politikanë, këtë makineri politike të ndryshkur e të kalbur që rëndon mbi kokat e shqiptarëve.

Kupa po mbushet, shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës. Detyrimet tona duhet të jenë shumë më të larta. Ne duhet t’u kthejmë shpresën shqiptarë. Është detyra jonë si politikanë të rinj të largojmë pazarxhinjtë e politikës shqiptare.

Këta do na luftojnë do na sulmojnë do na fusin shkopa por ne nuk do të dorëzohemi, do të luftojmë deri në fund. do ta fusim shqipërinë në evropë, do të jetë një rrugë pa kthim”, tha Hajdari.

Presidenti Ilir Meta mbajti tubimin e parë anti-qeveritar më 2 mars, duke paralajmëruar të tjerë, për të shpërndarë parlamentin, e ndoshta edhe për të mësyrë me dhunë brenda tij nëse mazhoranca dhe ndërkombëtarët, që ai i quajti mafiozë që ndër vite kanë luajtur me sovranitetin e shqiptarëve, nuk e marrin seriozisht dekretin që ai paralajmëroi të firmosë.

Artikulli paraprakMERR FLAKË NË MESNATË MAKINA E ‘TRANSPORTIT RRUGOR’ NË SHKODËR, POLICIA: NUK KA QENË EKSPLOZIV, ZJARRI AKSIDENTAL
Artikulli tjetërLLESHAJ: GJYQTARËT NXORRËN NGA BURGU 28 KRIMINELË TË RREZIKSHËM. ANTI KÇK EMERGJENCË, VOTOJENI 100%