Rudina Hajdari është vetëlarguar si kryetare në Komisionin e Integrimit dhe i propozon Kuvendit që në vend të saj të emërohet Halit Valteri.

Përmes një kërkesë drejtuar kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, që mban datën e 26 shkurtit 2020, Rudina Hajdari, kryetarja e grupit parlamentar ‘Demokrat’ kërkon ndryshime edhe në ‘Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik’ dhe në ‘Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese’.

Konkretisht në letër kërkohet shkarkimi i Fationa Dhimitrit nga drejtimi i Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik dhe në vend të saj të emërohet deputeti Halil Jakimi.

Gjithashtu me lëvizjen e Halit Valterit i propozuar si kryetar i Komisionit të integrimit, vendin e tij të nënkryetarit në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese ta zërë deputeti Arlind Cacani.

Hajdari aktualisht është edhe bashkëkryetare e Komisionit të Reformës Zgjedhore, ku puna është kolosale, pasi afati i saj përfundimtar është 15 marsi. Kërkesat kryesore që artikulohen me forcë nga Rudina Hajdari janë ndryshimi i sistemit elektoral dhe aplikimi i rekomandimeve të OSBE /ODIHR-it në Kodin Zgjedhor.

Megjithatë nuk përjashtohet edhe fakti që këto rotacione të vijnë dhe pas përplasjeve që Hajdari pati para disa kohësh me disa anëtarë të grupit të saj, të cilët kërkuan shkarkimin e saj si kryetare.

Artikulli paraprakTONIGHT – 03.03.2020
Artikulli tjetërSTAR TREND – ANAMARIA PRENDI