Ragip Hajdini, 50 vjeç, i arrestuari i gjashtë për grabitjen spektakolare në aeroportin e Rinasit, është lënë në masën e sigurisë ‘arrest me burg’ nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
I njohur me nofkën ‘Daja’, Hajdini është me origjinë nga Peja e Kosovës. Ai njihet si mik me ‘trurin’ e grabitjeve, Admir Murataj, i cili mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.
Burimet kanë thënë se ‘Daja’ pasi kishte refuzuar disa herë të jepte detaje për grabitjen e Rinasit, përballë grupit hetimor, më në fund ka thyer heshtjen.
Ai ka mohuar përfshirjen në grabitje, ndërsa thotë se nuk është ai ‘Daja’ që kërkon policia shqiptare, por nga ana tjetër pranon lidhjen me familjen e Admir Muratajt, të cilit thotë se i ishte edhe në varrim në Tropojë.
Hajdini pretendon se ka alibi për mesditën e 9 majit si dhe ka kërkuar ballafaqim me punonjësin e servisit që e identifikoi, Alkond Bengasi.
‘Nuk jam unë ‘Daja’ që kërkoni. Flitej për një ‘Daja’, por po të isha unë, nuk do të rrija këtu. Kam pamje filmike që nuk kam qenë pjesë e grabitjes atë ditë.
Dua të ballafaqohem me Bengasin që më ka identifikuar. Kam njohje me familjen Murataj. Isha në varrimin e Admir Muratajt, njoh edhe vëllain e tij’, mësohet të jetë shprehur Ragip Hajdini.