Deputetja e Partisë Demokratike Rudina Hajdari ende nuk e ka dorëzuar mandatin e deputetit, ndryshe nga grupi parlamentar.
Pak ditë më parë, ajo përmes një postimi në rrjetet sociale u shpreh se është konsultuar me SHBA dhe BE dhe shumë shpejt do të vendosë, por u shpreh se vendimi i grupit për djegien e mandateve në bllok është me rrisk.
Ndërkohë që mbrëmjen e sotme, Hajdari ka paralajmëruar në një postim në Twitter se mund të përjashtohet nga partia.
Deputetja rebele e së djathtës, vajza e Azem Hajdarit, ka shpërndarë një deklaratë të ish-deputetit Gert Bogdani i cili ka thënë se nëse Hajdari nuk do të dorëzojë mandatin do të përjashtohet nga Partia Demokratike.
Shpërndarjen e deklaratës së Bogdanit ajo e shoqëron me fjalët ‘Është mirë ta dini” duke paralajmëruar atë që do të ndodhë, ndërsa ka vënë në dijeni ndërkombëtarët. Hajdari ka shpërndarë kërcënimin duke lënë të kuptohet se ajo po bëhet gati të pres këtë dënim.
Nga Partia Demokratike nuk e ka dorëzuar mandatin Myslim Murrizi, i cili u përjashtua pasi doli kundër vendimit të grupit, gjithashtu edhe Lefter Koka nga LSI. Ndërkohë që Nard Ndoka ka deklaruar se ndodhet jashtë vendit dhe kur të kthehet do e dorëzojë mandatin.