Një tentativë grabitjeje përfundoi me arrestimin e një shqiptari në Itali. Ngjarja ka ndodhur të enjten në Sanremo.
Një recepsioniste ishte e para që vuri re një person të dyshimtë që sillej rrotull pallateve. Vetëm disa minuta më vonë, gruaja dëgjoi një zhurmë të fortë, e njëjtë me thyerjen e një dritareje. Kur shkoi drejt vendit ku dëgjoi zhurmën, ajo gjeti copa xhamash dhe gjak.
Pak më larg ishte personi që kishte parë të hynte në pallat disa minuta më parë që mbahej nga disa kopshtarë, të cilët e kishin ndaluar aty për pak minuta.
Shqiptari, 31-vjeç, kishte një plagë në dorë dhe po humbiste gjak. Ai arriti t’u shpëtonte kopshtarëve dhe shkoi për të marrë mjekim në një spital.
Falë ndihmës edhe të dëshmitarëve në vendngjarje, policia arriti të bënte verifikimet paraprake në dritaren e thyer, ku kishte ngelur akoma gjak. Më pas ata arritën ta arrestonin 31-vjeçarin në spital.
Shqiptari kishte vetëm 10 ditë që ishte akuzuar për një tjetër tentativë vjedhjeje në një banesë. Çdo herë që ishte ndaluar, ai përdorte identitete të ndryshme.