Çako: Identifikuam personin që goditi policinë
Një aksion i gjerë ka nisur prej mëngjesit të sotëm në qytetin e Elbasanit, ku janë përfshirë Policia e Tiranës, ajo e Elbasanit dhe FNSH. Nga qyteti i Elbasanit, ku ndodhet prej mëngjesit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, ka zbardhur detaje të aksionit të policisë. Çako tha se është identifikuar personi, që tri ditë më parë goditi mjeti i zyrtarit të lartë të policisë. Ndërkohë, burime nga takimi në Elbasan thanë se është shpallur në kërkim Suel Çela, djali i biznesmenit Petrit Çelës. Suel Çela drejtonte makinën, që goditi policinë para dy ditësh në Elbasan Deklarata e Çakos: Prej orëve të para të ditës së sotme strukturat e Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, mbështetur nga Struktura të Posacme, Forcat Speciale Renea dhe ato të FNSh-së, kanë ndërmarrë një operacion të gjerë policor në qytetin e Elbasanit dhe rrethinat e tij. Ky operacion konsiston në kontrollin, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri, autorëve të ngjarjeve të rënda kriminale, pjestarë të grupeve kriminale, duke përfshirë edhe autorët e ngjarjes së ndodhur më datë 20.09.2017 në qytetin e Elbasanit. Gjithashtu ky operacion zhvillohet edhe në kuadër të Plan Operacionit “Vjeshtë 2017”, për identifikimin, konstatimin dhe sekuestrimin e aseteve, automjeteve dhe pasurive të vendosura në mënyrë të paligjshme nga veprimtaritë kriminale të grupeve apo organizatave kriminale. Nga veprimet e deritanishme janë identifikuar dhe bllokuar disa asete, pasuri, ambiente dhe automjete të ndryshme në pronësi, posedim apo përdorim të subjekteve me aktivitet kriminal. Me qëllim hetimin e plotë ligjor dhe vënien përpara përgjegjësise ligjore të autorëve po bashkëpunohet me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese. Si rezultat i operacionit të sotëm janë bllokuar disa makina luksoze. Është kapur një person në kërkim për vjedhje me armë. Janë kontrolluar ambiente, automjete e persona të dyshuar. Janë shoqëruar në ambientet e Policisë 27 persona për verifikim, kryesisht persona me precedent penal në fusha të ndryshme. Policia e Shtetit falënderon të gjithe qytetarët e Elbasanit të cilët kanë përcjellë informacionet dhe shqetesimet e tyre dhe i siguron ata se Policia i ka trajtuar dhe po vazhdon ti trajtojë me shumë seriozitet e përkushtim si dhe po vijon punën për të siguruar rendin dhe qetësinë qytetarëve të Elbasanit dhe të gjithë komunitetit në çdo cep të territorit të vendit. Ky aksion i gjerë policor nga Tirana dhe Elbasani ka nisur vetëm tri ditë pasi automjeti në përdorim të biznesmenit dhe pronarit të tregut ushqimor në Elbasan, Petrit Çela, goditi eskortën e policisë, e cila kishte ndaluar në postbllok një automjet të blinduar me vlerë 100 mijë euro.