Sot hapen aplikimet për fermerët që të përfitojnë nga Skema Kombëtare. Prioritet i kësaj mbështetjeje do të jenë ata fermerë që do të bashkohen për të prodhuar të njëjtin produkt.
Në këtë skemë është caktuar se nëse 4 fermerë bashkohen për të mbjellë të njëjtin produkt do të përfitojnë financim të plotë. Po ashtu edhe për blegtorët, ku duhet të bashkohen 7 blegtor që të arrijnë numrin e bagëtive dhe të përfitojnë nga skema kombëtare. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, dhëna prioritet bashkimit të fermerëve në mënyrë që të rritet numri i përfituesve.
Mbështetje 10 mijë lekë për krerë do të marrin të gjithë ata fermerë që kanë jo më pak se 10 lopë edhe nëse bashkohen tufat e disa blegtorëve financimi do të jetë i plotë. Nëse kanë më shumë se 50 lopë fermeri merr 5 mijë lekë për bagëti.
1200 lekë për krerë do të marrin blegtorët që kanë mbi 100 krerë dele apo dhi. Nëse tufa është më e madhe se 300 krerë, financimi për pjesën mbi 300 ulet me 50%, pra marrin 600 lekë për çdo krerë.
Të gjithë fermerët që merren me bletari do të marrin financim 1 mijë lekë për zgjua, ndërsa financimi ulet me 50% për çdo zgjua mbi shifrën 150 zgjoje.
Financime këtë vit do të ketë edhe për bimët aromatike, ku fermeri do të përfitojë 30 mijë lekë për sipërfaqe jo më të vogël se një hektar. Financime do të ketë edhe për prodhimet në sera apo prodhimet e mekanizuara në bujqësi.
Ndryshimi tjetër i kësaj skeme ka të bëjë me naftën pa taksa e cila këtë vit nuk do të shpërndahet nëpër karta fermeri, por do i kalojnë lekët në llogari bankare përfituesit.
Afro 12.2 milionë euro është fondi që është vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit për Skemën e Naftës, përmes së cilës fermerët e marrin karburantin të çliruar nga taksat.
Ky është viti i katërt që zbatohet kjo skemë, ku fermeri e merr naftën me çmim të çliruar nga akciza, taksa qarkullimit, e karbonit dhe e TVSH-së. Çmimi referencë për naftën për vitin 2024 është llogaritur 161.4 lekë/litër (pa TVSH), ndërsa me TVSH 193,7 lekë/litër, por fermerët do ta marrin me çmim 78.5 lekë.
Në udhëzimin e Skemës Kombëtare të Mbështetjes, thuhet se subjektet që të përfitojnë naftë pa taksa duhet të kenë tokë bujqësore në pronësi, të aplikojnë për sipërfaqe jo më të ulët se 1 hektar.
Po ashtu specifikohet se të gjithë fermerët që kanë sipërfaqe deri në 10 hektar përfitojnë 100% të vlerës së financimit (kur shpallen fitues), ndërsa ata aplikues që kanë mbi 10 hektar do të marrin 50% të financimit, por nga ky përgjysmim i financimit, përjashtohen fermerët që bashkohen ose Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor.
Pra nëse 4-5 fermer bashkohen dhe kanë sipërfaqe 20 hektar, do të marrin financim të plotë, por nëse këtë sipërfaqe e ka vetëm 1 fermer për 10 hektar merr 100% financim ndërsa për 10 hektar vetëm 50%.
Në udhëzim është përllogaritur edhe masa e financimit sipas kulturave që do të mbjellin fermerët. 18,789 lekë për hektar do marrin ata fermerë që kultivojnë misër, fasule, luledielli, sojë.
Grupi i dytë që mbjell grurë, tërshërë, thekër, elb), foragjere njëvjeçare, industriale (patate, duhan, panxhar, pambuk) merr 12,784 lekë për hektar.
Ata që mbjellin foragjere shumëvjeçare apo bimë aromatike-mjekësore do marrin 8,910 lekë për hektar.
Për kategorinë e dru frutorëve do merren nga 13.9 mijë lekë deri në 18.7 mijë lekë sipas llojit të frutave që kultivojnë. Ndërsa për perimet financimi është 14.9 mijë lekë për perime fushe në sezonin e parë dhe 16.8 mijë lekë për perime sere në sezonin e parë.
Çdo subjekt, që përfiton nga skema e mbështetjes për naftën për bujqësinë, dhe ka abuzuar me mbi 20% të vlerës së përfituar përjashtohet për 3 vjet nga përfitimi prej masave mbështetëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural, të financuara nga buxheti i shtetit.
E gjithë skema kombëtare këtë vit pritet të mbështesë financiarisht 70 mijë fermerë nga 65 mijë që përfituan vjet.