Policia bashkiake e Shkodrës bashkë me policinë e shtetit kanë ndërmarrë një tjetër aksion për lirimin e hapësirave publike në qytetin e Shkodrës. Drejtori i policisë bashkiake Anton Hasanpapaj shprehet se është gjetur gjuha e përbashkët me tregtarët.
Kësaj radhe nuk do të jetë aksion disa ditor si herët e tjera kur kanë dështuar sepse hapësirat publike janë zënë menjëherë pasi janë larguar policët por sipas drejtorit Hasanpapaj do vijojë pa ndërprerje.
Bashkia Shkodër ka përllogaritur rreth 500 tregtarë në të gjithë Shkodrën për të cilët është bërë edhe një plan për ndërtimin e tregjeve ditore për t’i sistemuar ata.
Trotuarët në disa zona ku shkuan policët bashkiak vijojnë të jenë të zëna derisa bashkia të ketë gati tregjet ndërsa tregtarët janë larguar nga rrugët duke qenë një burim për aksidente. Zënia e hapësirave publike mbetet një problem i pazgjidhur përfundimisht.