Para rreth një viti bashkia Shkodër rinisi disa aksione për lirimin e hapësirave publike të zëna nga qytetarë të ndryshëm.

Këto aksione u fokusuan në disa vende të ndryshme jo vetëm në qendër të qytetit por edhe lagje të tjera apo pjesë periferike për të bërë të mundur jo vetëm largimin por edhe evidentimin e atyre që cilësoheshin si uzurpues të hapësirave publike. Ky aksion intensiv i policisë bashkiake zgjati disa ditë dhe më pas ai itensitet i kontrolleve erdhi duke rënë gradualisht. Në të njëjtën kohë qytetarët në mënyrë graduale duke mos patur mundësi të tjera u rikthyen edhe njëherë ne vendet ku kishin qenë më parë duke zënë sërish hapësirat publike. “Star Plus” është rikthyer me një vëzhgim të thjeshtë pas rreth një viti për të parë se cila është situata. Rezulton se trotuarët apo pjesë të tjera publike ndodhen sërish të zëna sepse ende nuk është gjetur një zgjidhje për këtë histori që vijon prej vitesh në këtë mënyrë. Ky problem për hapësirat publike evidentohet në lagjen “Rus”, një prej zonave më shqetësuese. Po ashtu edhe në afërsi të spitalit rajonal të Shkodrës është e njëjta situatë për të vijuar më pas edhe në lagje të tjera. Këta shitës të vegjël, nëse mund të quhen të tillë kanë kërkuar që bashkia t’i gjejë vendet për të shitur dhe më pas ata janë dakord që të largohen nga trotuaret apo rrugët. Bashkia është angazhuar për të mundësuar zgjidhje për tregjet por deri më tani është ecur me një ritëm jo të lartë. Problem për bashkinë mbetet jo vetëm përcaktimi i vendeve por edhe investimet e kushtueshme që duhen për ndërtimin e tregjeve të ndryshme. Herë pas here policia bashkiake ndërmerr aksione për lirimin e hapësirave publike por që mbeten sporadike dhe nuk japin një zgjidhje përfundimtare.

Artikulli paraprakMETA: INFRASTRUKTURA, ZËRI KRYESOR I INVESTIMEVE
Artikulli tjetërPEDIATRIA, “NUK KA MË GRIP NË SPITALIN E SHKODRËS”