Është hapur gara për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Gara u hap me vendim unanim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
KLP gjithashtu miratoi me votë unanime Rregulloren mbi Kriteret dhe Procedurën për ngritjen në detyrë të prokurorëve pranë SPAK.
Kriteret për kandidat për Prokuror të Përgjithshëm
Në një deklaratë për mediat kreu i KLP, Gent Ibrahimi tha se kandidatët duhet patjetër të kenë titullin ‘Doktosh shkencash’ për të hyrë në garë.
“Duhet të kenë patjetër titullin ‘Doktor shkencash’ për të hyrë në garë. Ndërsa titujt e tjerë akademik shërbejnë si një plus për të marrë dy pikë të tjera.
E rëndësishme është të kemi meritokraci, që plotësojnë më mirë kriteret. Përgjegjësia me kushtetutë për përzgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm i takon politikës.
Ne do përzgjedhim tre kandidatët më të mirë dhe ia dërgojmë Kuvendit, që do përzgjedhë atë që e konsideron më të pranueshëm, qoftë ky i treti në listë. Në kushtet e mungesës së një shumice, i takon KLP të jetë vendimtar,”-tha ai.
Kushtet e kandidatëve për SPAK
Kreu i KLP tha se prokurori që kandidon për SPAK duhet të kalojë të dy proceset e vettingut.
“Prokurori që kandidon për SPAK do të duhet të ketë kaluar të dyja proceset e vettingut. Vetëm atëherë mund ta emërojmë. Ka një listë por ende nuk e kemi dërguar pasi duhet të bëjmë një verifikim paraprak nëse të 27 kandidatët i plotësojnë kushtet ligjore për prokurori për SPAK.
Ata që nuk i plotësojnë kushtet do përjashtohen. Dy ditë pas rregullorja të hyjë në fuqi, do shpallim listën zyrtare.”
Ibrahmi shtoi procesi për përzgjedhjen e anëtarëve të SPAK dhe kandidatëve për Prokurorë të Përgjithshëm do fillojë pas hyrjes në fuqi të dy rregulloreve.
“I hapëm rrugën dy proceseve të rëndësishme, anëtarëve të SPAK dhe kandidatëve për Prokurorë të Përgjithshëm. Procesi do fillojë në datën kur dy rregulloret e rëndësishme që miratuam sot të hyjnë në fuqi. Mendoj që brenda dy javësh do jenë në fletoren zyrtare.”
SPAK më pak se 10 anëtarë
Ibrahimi la të hapur mundësinë se SPAK mund të nisë fillimisht me pak se 10 anëtarë.
“Minimumi prej 10 anëtarësh për Prokurorinë e SPAK-ut është një mimimum që do ofrojë garanci përfundimtare që çfarë do që të ndodhë në të ardhmen kjo zyrë nuk do të ketë më pak se kaq Prokurorë.
Por për fillimin e SPAK mund të operohet dhe me më pak sesa 10,”-tha ai.
Pas themelimit të SPAK, do të zgjidhet kreu i saj nga prokurorët më të kualifikuar.
Rregullorja garanton 6 javë për shqyrtimin e dosjeve të kandidatëve.
Brenda 2 javëve nga mbarimi i afatit të shqyrtimit të dosjeve do zhvillohet intervista me kandidatët e kualifikuar.
Misionet e asistencës ndërkombëtare do të monitorojnë procesin e intervistës së kandidatëve për SPAK.