Itali, hapet shkolla shqipe në komunën e Maceratës

Është inauguruar në komunën e Maceratës në rajonin Marke në Itali, një shkollë që do të mikpresë fëmijët e emigrantëve shqiptarë që jetojnë në këtë qytet. Në komunën e Maceratës jetojnë rreth 1000 shqiptarë, e ky komunitet është mjaft i integruar. Shkolla në gjuhën shqipe do t’i shërbejë fëmijëve të emigrantëve për të mësuar gjuhën amtare e për të mos harruar traditat, historinë e kulturën e kombit tonë. Kjo shkollë u inaugurua falë bashkëpunimit midis shoqatës shqiptare “Iliria” e komunës së Maceratës e cila vuri në shërbim një nga ambientet e saj të bibliotekës, që një herë në javë do të shndërrohet në shkollë të gjuhës shqipe. Në ceremonia e inaugurimit të kësaj shkolle, Romano Carancini, kryetari i komunës së Maceratës u shpreh se “askush më mirë se populli italian njeh rëndësinë e rrënjëve. Komuniteti shqiptar në Itali është mjaft i lidhur me vendin e origjinës. Kjo shkollë e hapur do të forcojë më shumë lidhjet e Maceratës me Shqipërinë, duke qenë se prej vitit 2011 kjo komunë është binjakëzuar me komunën e Kamzës në Shqipëri. Për kryetarin e shoqatës shqiptare “Iliria”, Ervin Cakerri, kjo shkollë e hapur do të shërbejë dhe për njohjen reciproke mes kulturave të dy vendeve si dhe do të promovojë integrimin e mëtejshëm të komuniteti shqiptar në këtë territor.

Artikulli paraprakVETTINGU SERISH NE KUSHTETUESE,E ANKIMON UNIONI I GJYQTAREVE
Artikulli tjetërRREZOHET AVIONI NE MALTE,VDESIN 5 PERSONA