Hapja e dosjeve, rreth 3 persona në ditë bëjnë kërkesë pranë Autoritetit

100 ditë nga krijimi, Autoriteti për Hapjen e Dosjeve po përballet me kërkesa të shumta nga individë dhe institucionet publike për të kërkuar material në lidhjen me të kaluarën e tyre komuniste. Pavarësisht asgjesimit të dosjeve, Drejtorja e Autoritetit Gentiana Sula u shpreh se janë gjetur mbi 20 mln faqe materiale nga arkivat komuniste. Të paktën 3 persona në ditë paraqesin kërkesën e tyre në Autoritetin e Dosjeve për të kërkuar materiale për familjarët dhe të afërmit e tyre Me 50 vetë staf dhe buxhet tejet të kufizuar, Gentiana Sula, u shpreh se po punohet për t’i shërbyer individëve dhe institucioneve. Sula: Çdo ditë kemi pasur 2-3 kërkesa nga familjarë, individë. Të gjitha kërkesat e individëve që deri tani i janë drejtuar institucionit tonë për çdo rast ne kemi gjetur material arkivor. Pra nuk është se çdo gjë është zhdukur. Nga ana tjetër kemi pasur kërkesa nga institucine, nga muzetë, nga Ministria e Kulturës që po ngre dhe projektin e Muzeut të Gjetheve dhe ne po japim materialet e para. Verifikimi që Autoriteti i Hapjes së Dosjeve duhet t’i bëjë kandidatëve të komisionit të vettingut ka bërë që ky institucion të punojë me orë të zgjatura. Sula: Kemi ndërtuar raporte shumë të mira me institucionet e vettingut, duke bërë verifikimin e figurave konform të shkuarës në bazë të ligjit tonë. Kërkesat që vinë nga institucionet publike kanë përparësi sepse kanë interes publik. OSBE, mbështetësi kyç i punës së Autoritetit të Hapjes së Dosjeve ngriti shqetësimin se objekte të komunizmit që shërbejnë për të njohur të shkuarën, po shkatërrohen. Zv/ambasadori i OSBE, Robert Wilton, iu referua burgut të Spaçit kur tha se: Wilton: Çdo Spaçi shkatërrohet fizikisht tullë më tullë dhe çdo ditë kalvari i Shqipërisë harrohet. Pavarësisht materialeve të humbura apo të asgjesuara, Autoriteti i Hapjes së Dosjeve ka siguruar deri tashmë 20 mln faqe material arkivore, ku ka të dhëna të rëndësishme mbi ngritje e sistemit të komunizmit, mënyrën sesi punohej kundër regjimit, dhe individët kundër njëri-tjetrit si dhe dorëshkrime personale si në rastin e dosjes së Musine Kokalarit.

Artikulli paraprakSHQIPTARI GRABIT MAKINËN E KËNGËTARIT TË NJOHUR GREK
Artikulli tjetërNISHANI PRET MINISTRIN E JASHTËM TË KOSOVËS