Do të ishte realiste të pritej që bisedimet e anëtarësimit midis Ukrainës dhe BE-së të finalizoheshin deri në fund të dekadës, tha ambasadorja e Bashkimit Evropian në Kiev, Katarina Mathernova. BE nisi zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Kievin të martën, pasi të 27 vendet anëtare miratuan kuadrin e negociatave javën e kaluar.
“Deri më tani kam parë në Ukrainë shumë vendosmëri dhe shumë këmbëngulje për të ecur shpejt. Kështu që unë mendoj se në rastin e Ukrainës mund të marrë më pak kohë se më parë në rastin e disa vendeve të tjera. Mendoj se viti 2030 është një datë shumë realiste”, tha Mathernova për RBC-Ukraine.
Sipas diplomates sllovake, hapi tjetër do të jetë “kontrolli dypalësh”, ose krahasimi i trupit të ligjeve dhe rregullave të BE-së me rregulloret ukrainase për të identifikuar “boshllëqet”. Kjo do të marrë disa muaj, ku mund të hapen “kapitujt” e parë të negociatave. Kapitujt veprojnë si një lloj “liste kontrolli”, që trajton “fushat tematike”, shpjegoi ajo. Pjesë të kapitujve 23 dhe 24 që “kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës, qeverisjen demokratike, anti-korrupsionin, etj”. nuk janë pjesë e acquis communautaire të BE-së, por do të vlerësohen në përputhje me standardet evropiane”, vuri në dukje Mathernova.