“Qeveria e re nuk duhet të bëjë lëshime nga pozitat nacionale posaçërisht kur bëhet fjalë për identitetin dhe historinë bullgare dhe të drejtat e bashkatdhetarët tanë prapa kufirit”, kështu ka deklaruar presidenti bullgar Rumen Radev pas rizgjedhjes, duke konfirmuar edhe një herë veton që po mban peng zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Këtë deklaratë Radev e bëri pas fitores në zgjedhjet presidenciale, ku fitoi mandatin e dytë.

Pas kësaj ka reaguar edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev i cili shkruan në Facebook se kishte biseduar me Radev dhe se kishin rënë dakord që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut “do të vazhdojnë përmes dialogut dhe mirëkuptimit të ndërsjellë të kërkojnë zgjidhje në emër të një të ardhmeje të përbashkët evropiane”.

Bullgaria e shikon si të parakohshme fillimin e bisedimeve të pranimit të Maqedonisë Veriore me Bashkimin Europian, duke penalizuar kështu edhe Tiranën për shkak se integrimi i dy vendeve është parashikuar në bllok.

E teksa vendet anëtare të BE kanë dhënë konsensusin e tyre për zhvillimin e Konferencës së parë Ndërqeveritare, shpresat ishin përqendruar pikërisht te ndryshimi i kursit të politikës në Bullgari, gjë e cila duket se nuk ka ndodhur.

Të njëjtën gjë e konfirmoi më parë edhe partia “Ne vazhdojmë ndryshimin” që doli e para në zgjedhjet e para në Bullgari më 14 nëntor dhe pritet të formojë qeverinë e re në koalicion me tre parti të tjera. Kreu i kësaj partie, Daniel Lohrer tha se nuk pritet që Bullgaria të heqë veton për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut, duke mbajtur peng kështu edhe Shqipërinë.

Artikulli paraprakCILA ËSHTË KRIPTOMONEDHA MË E KËRKUAR?
Artikulli tjetërMAKINA MERR PËRPARA TURMËN E NJERËZVE, 5 VIKTIMA DHE MBI 40 TË PLAGOSUR