Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke prezantuar shkurtimisht programin qeverisës, ka thënë se kjo qeveri do të sjellë rritje ekonomike prej 7 për qind. Ai po ashtu, ka thënë se do të punohet në shumë fusha, si në arsim, shëndetësi, ekonomi e drejtësi.

Haradinaj më tej, ka thënë se prioritet i qeverisë do të jetë edhe punësimi i qytetarëve të Kosovës. “Vizioni është hapja e vendeve të reja të punës dhe zhdukja e varfërisë ekstreme. Rritje ekonomike do të ketë 7 për qind. Ne do të realizojmë projekte të mëdha zhvillimore që do të ndikojnë në zvogëlimin e papunësisë. Do të mundësojmë edhe rritje të pagave të sektorit publik”, tha Haradinaj, raporton “Zeri.info”. Shefi i ekzekutivit më tej, tha se do të punohet edhe drejt procesit të njohjeve të reja, liberalizimit, e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

“Do të përmbushim kriteret e mbetura të liberalizimit të vizave, për një kohë të shkurtër do ta sigurojmë liberalizimin e vizave”, theksoi ai. Pos kësaj, Haradinaj tha se do të bëhet edhe transformimi i FSK-së në ushtri, në bashkëpunim me NATO-n. Ndërkohë, foli edhe rreth procesit të dialogut me Serbinë, me ç’rast tha se ky dialog do të përmbyllet suksesshëm.

“Ne synojmë ndërtim të marrëdhënieve fqinjësore edhe me Serbinë. Do ta përmbyllim suksesshëm dialogun me Serbinë. Kemi kërkuar inkuadrim të SHBA-ve dhe dialogu duhet të ketë kufizim kohor dhe emri i këtij dialogu do të jetë njohja reciproke”, nënvizoi ai.

Artikulli paraprakBUSHATI NË VJENË, MERR PJESË NË MINISTERIALIN E OSBE
Artikulli tjetërRAMA FTON SËRISH BASHËN:EJA TË FLASIM SHQIP PËR SHQIPËRINË