Kandidati për kryeministër të Kosovës nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma, Ramush Haradinaj, thotë se nuk do të lejohen improvizime dhe se Qeverinë do ta formojë koalicioni që i ka fituar zgjedhjet.
Ai beson se Qeveria e re do të formohet një javë pas certifikimit të rezultateve dhe beson se ka një traditë të bashkëpunimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës e cila mund të vazhdojë edhe në qeverisjen e ardhshme. “Tash jemi në pritje të rezultatit final, por afërsisht dihet numri i deputetëve të koalicionit tonë. Kushtetuta jonë parasheh edhe rolin e komuniteteve e të gjithëve në Qeveri.
Po ashtu do të diskutojmë, do të konsultojmë edhe organizime politike ose parti politike shqiptare për ndërtimin e Qeverisë”, ka thënë Haradinaj. Ndërkaq në pyetjen nëse do të fillojnë apo kanë filluar diskutimet për një koalicion të ri, Haradinaj ka thënë: Tani kuptohet, komunikimi ekziston dhe është i vazhdueshëm, por ato zyrtaret duhet të ndodhin kur përmbyllet certifikimi i rezultatit dhe pasi të marrë nominimin zyrtar, por po, jemi në punë e sipër këto ditë. Sa i përket asaj nëse subjektet politike nga koalicioni i LDK-së me AKR-në dhe Alternativën mund të bëhen pjesë e Qeverisë eventuale Haradinaj ka thënë se ai ka pasur një traditë bashkëpunimi më LDK-në nga Qeverisja në të kaluarën në kohën e koalicionit me presidentin Rugova dhe për këtë nuk sheh probleme.
“Jam i hapur për të biseduar me ta. Pra, është e mundshme”, ka thënë Haradinaj. Haradinaj ka folur edhe për mundësinë e një marrëveshje e me Vetëvendosjen. “Njihemi edhe me ta po ashtu. Me siguri do të komunikoj edhe me ta që të shohim si është perspektiva e punëve në të ardhmen. Mirëpo, jemi në nivel punë që votuesit kanë vendosur kush është fitues i zgjedhjeve. E kemi numrin e caktuar të deputetëve, i kemi komunitetet që në bazë të Kushtetutës e kanë rolin e vet kushtetues edhe në Qeveri edhe në Parlament, do të diskutojmë edhe në organizimin e politikës shqiptare, por s’dua ta precizoj si do të rrjedhë”.
“Unë kam diçka konkrete, por nuk e kam ende për ta lajmëruar për opinion. Por, ajo që mund t’i siguroj qytetarët e vendit është se në një afat të shkurtër kohor pas nominimit zyrtar, pas certifikimit të rezultateve, mendoj në më pak se një javë, do të formojmë qeverinë e vendit”. Haradinaj ka komentuar edhe deklarimet e ish-kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, se ai do të jetë mandatar për formimin e Qeverisë së ardhshme.“Nuk e marrë në shqyrtim atë që ai e thotë. Proceset janë të qarta.
Dihet se si rrjedh procedura. Ne e kemi bërë një përvojë nga e kaluara. Pra, nuk kemi mundësi që të krijojmë improvizime që bllokojnë e as improvizime që e vonojnë Kosovën. Nuk do të bëjmë më improvizime, jemi serioz në punë. Pra, mandatin që na është dhënë nga qytetari, do ta zbatojmë”. “Nuk do t’i humbim kohë vendit. Pra, në afatin më të shkurtër kohor do të veprojmë me Qeverinë. Një javë nga certifikimi, por certifikimin final e bën KQZ-ja. Në momentin kur ata kryejnë punë, ne brenda javës do të jemi të gatshëm”, ka thënë Haradinaj.