Ka zgjatur vetëm dy ndeshje aventura e tij në krye të Vllaznisë së femrave. Kështu, Haris Lika nuk do të jetë më trajner i kësaj skuadre. Në fakt, ka qenë vetë ai, i cili përmes rrjeteve sociale, ka komunikuar largimin nga drejtimi i këtij ekipi, teksa shkruan: “Nga sot nuk do të jem më trajner i Vllaznisë së femrave. Falënderoj të gjithë ata që punova dhe i uroj suksese ekipit”. Eleminimi i Vllaznisë në turin e parë, pikërisht në finalen e grupit ndaj islandezëve të Valur, ka sjellë një mërzi të madhe tek të gjithë pjesëtarët e ekipit dhe veçanërisht tek drejtuesit dhe presidenti Lazër Matija. Realisht, kuptohet që secili ka përgjegjësinë e tij në këtë mes dhe ai që e ka pësuar ka qenë i pari trajneri Lika.

Ende nuk është e qartë nëse ai ka dhënë dorëheqjen apo është shkarkuar. Megjithatë, ajo që mbetet ka të bëjë me faktin se, ai nuk do të jetë më në pankinën e ekipit kampion. Tashmë, mbetet për t’u parë se cila do të jetë zgjedhja që presidenti Matija do të bëjë për zëvendësimin e tij, nëse do të rikthejë në këtë detyrë Nikolin Lekën që kaloi së fundmi në pozicionin e drejtorit teknik apo do të mendojë për ndonjë alternativë tjetër.

Artikulli paraprakDITA FUSHORE E MISRIT
Artikulli tjetërHUMANIZMI I MJEKUT NË MËRGIM NGA LEZHA